Kjo është Pranvera Begolli, komisionere e Partisë Socialiste në një prej qendrave të votimit në Korçë. Në këtë video të postuar në rrjetet sociale nga kandidati për deputetet për Partinë Demokratike në Korçë, Ervin Salianji, Begolli duket teksa po përpiqet të kontrollojë fletët e votimit në një kuti.

Vetë Salianji shprehet se komisionerja po përpiqet të nxjerrë fletët e votimit për të verifikuar nëse votuesi që punon në administratë ka votuar për Partinë Socialiste.

Nuk kanë fund turpet dhe skandalet e Rilindjes, në video komisionerja e Partisë Socialiste Pranvera Begolli, duke nxjerrë fletët e votimit për të verifikuar nëse votuesi që punon në administratë ka votuar për PS ose jo?!

“,

shkruajti Salianji në Facebook.

Në video, Komisionerja përpiqet për disa sekonda që të hapë kutinë, madje ajo kërkon edhe ndihmën e personave të tjerë që ndodhet aty, duke u kërkuar një vizore. Gruaja shfaqet insistuese, ndërsa në sfond dëgjohet një vajzë e cila i kërkon që të mos e bëjë këtë veprim. Në fund, komisionerja dorëzohet.

Pas publikimit të këtyre pamjeve, në një prononcim për mediat, vetë Begolli hodhi poshtë pretendimet e Salianjit. Ajo u shpreh se brenda kutisë së votimit ishte hedhur gabimisht një fletë procesverbali dhe po kërkonte për këtë të fundit. Begolli u shpreh se kishin vendosur si komision të PS, LSI dhe PD që fleta ishte hedhur gabimisht. /tvklan.al