Mediat greke kanë publikuar pamjet nga kamerat e sigurisë së një lokali ku tregohet momenti i vrasjes së turistit amerikan nga disa serbë në ishullin grek Zakynthos më 7 Korrik.

Në videon e publikuar nga gazeta “Protothema”, duket 22-vjeçari amerikan Bakari Henderson që vrapon për të shpëtuar nga grupi i të rinjve serbë, por goditet pa mëshirë me shkelma dhe grushte prej tyre. Ai mori goditje në kokë dhe në trup, por fatkeqësisht ndërroi jetë në spital. Kur kuptuan se turisti amerikan ishte pa ndjenja dhe i mbuluar nga gjaku, të rinjtë serbë ndaluan goditjet.

Në pamje shihet Bakari Henderson i shtrirë në tokë pa lëvizur. Dikush përpiqet t’i bëjë masazh në kraharor, por pa sukses. Brenda 5 minuta në vendngjarje shkon ambulanca, e cila e transportoi në spital. Ai u shpall i vdekur disa minuta më vonë. Një ditë pas ngjarjes së rëndë, policia greke arrestoi 8 persona mes të cilëve edhe 6 serbë. Në pranga ra edhe një banakier grek i lokalit, i cili u përfshi në sherrin masiv.

Kurse në një tjetër video më poshtë, janë pamje nga brenda lokalit që tregojnë se si nisi sherri mes turistit amerikan dhe grupit të serbëve.

Nga hetimet e deritanishme, rezulton se në lokal kanë qenë grupi i turistëve serbë dhe i turistëve amerikanë. Dy grupet kanë qenë të ndara dhe konsumonin alkool. Njëri prej serbëve të arrestuar ka treguar se shkak i sherrit ka qenë një vajzë.

Duke folur për gazetën “Protothema”, turisti serb përshkruan ngjarjen:

“Atë natë në lokal kishte shumë njerëz. Një vajzë me origjinë serbe që merrej me menaxhimin e lokalit, u afrua me amerikanët dhe bëri një marrëveshje me ta, duke përfshirë edhe viktimën. Vajza po bisedonte dhe bënte humor me amerikanët. Në lokal kishte edhe shumë serbë. Njëri prej serbëve ishte i lidhur me vajzën, por ishin ndarë. Ai shkoi dhe i tha ‘përse po shoqërohesh me amerikanët’, duke i folur me një ton të ashpër. Atëherë viktima u ngrit dhe ju përgjigj turistit serb verbalisht. Ky i fundit e goditi amerikanin me grusht në fytyrë. Viktima mori një shishe alkooli dhe e qëlloi në kokë. Aty filloi gjithçka. Vajza shkoi për t’i ndarë, por ajo u qëllua pa dashje me brryl nga turisti amerikan dhe u gjakos. Pastaj erdhi më kërkoi ndihmë mua dhe shkova për t’i ndarë. Viktima kishte pirë alkool, nuk e di se sa. Mori një tavëll duhani dhe e hodhi drejt meje. Pastaj doli nga lokali duke vrapuar. Pas tij vrapuan edhe serbët, banakieri grek i lokalit dhe unë. Mbaj mend që e qëllova një herë me grusht në fytyrë dhe 2-3 herë në trup, jo në kokë. Pasi u largova, një turmë me serbë e goditën pa mëshirë në trup dhe në kokë”.

/tvklan.al