Përkujtimi i 8 vjetorit të vrasjes së Aleksandros Grigoropulos është shoqëruar nga përleshje të ashpra midis anarkistëve dhe policisë në zonën Eksarkia të Athinës.

Përleshjet filluan pasditen e të martës, kur anarkistët goditën me gurë forcat e policisë. Policia nga ana e vet u kundërpërgjigj me përdorim të gazit lotsjellës.

Situata u përshkallëzua në orët e mbrëmjes, kur anarkistët nisën të flaknin edhe bomba molotov, ndërsa u vunë zjarrin dhjetëra kazanëve të plehrave dhe gomave të makinave.

Në mbrëmje, qielli i qendrës së Athinës ishte i mbuluar nga një re e dendur tymi.

Policia njoftoi se ka ndaluar 18 persona që janë shoqëruar për në mjediset e drejtorisë së përgjithshme të policisë greke.

Aleksandros Grigoropulos ishte vetëm 15 vjeç kur u qëllua për vdekje nga një patrullë policie mbrëmjen e 6 dhjetorit 2008.

Menjëherë pas kësaj mijëra të rinj u grumbulluan në vendngjarje dhe protestuan për gjithë natën.

Për tri ditë rresht situata doli krejtësisht jashtë kontrollit të autoriteteve, ndërkohë që protestuesit shkaktuan zjarrvënie masive dhe shkatërruan qendra tregtare e banka, dhe grupe keqbërësish plaçkitën një numër të madh dyqanesh në qendër të Athinës./tvklan.al