Në Shkup, protestat e së mërkurës gjatë mbrëmjes, kundër vendimit të presidentit të Maqedonisë, Gjorgje Ivanov, për të amnistuar politikanët të cilët hetohen nga Prokuroria, janë përshkallëzuar në dhunë. Disa protestues janë lënduar gjatë përleshjeve me policinë, ndërsa disa të tjerë janë shoqëruar. Situata ka eskaluar në momentin kur forcat e policisë kanë tentuar të ndalojnë turmën e protestuesve që të mos dëmtojnë zyrën e presidentit.

Disa mijëra protestues, nën drejtimin e organizatës joqeveritare “Protestoj”, janë mbledhur kundër vendimit të presidentit Ivanov për të falur të gjithë politikanët dhe personat e tjerë, të akuzuar nga Prokuroria për vepra të rënda kriminale si: falsifikim i zgjedhjeve, shkatërrim i aparaturave me të cilat janë kryer përgjime, pedofili, keqpërdorime financiare dhe shpërdorime tjera të detyrës zyrtare.

Protestuesit kanë thënë se presidenti mund “t’i falë kriminelët, por këtë nuk do ta bëjë populli”. Ndaj vendimit të presidentit Gjorgje Ivanov për të falur politikanët të cilët hetohen nga Prokuroria ka reaguar fuqishëm edhe Departamenti Amerikan i Shtetit.

Shtetet e Bashkuara janë thellësisht të shqetësuara nga njoftimi i Presidentit të Maqedonisë, Ivanov, për të falur personat që i nënshtrohen hetimit në lidhje me skandalin e përgjimeve. Nëse zbatohet, ky vendim do të mbrojë zyrtarët e korruptuar dhe do t’u mohojë drejtësinë qytetarëve të Maqedonisë

“./

tvklan.al