Parlamenti turk është kthyer në “ring” përleshjesh mes deputetëve orët e para të mëngjesit të së Enjtes, teksa po diskutoheshin dhe votoheshin ndryshimet kushtetuese që i japin më shumë pushtet Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Mediet kryesore turke, përfshirë “Hurriyet”-in, “Sabah”-un dhe agjencinë e lajmeve “DHA”, kanë publikuar video dhe foto nga përleshjet në parlament, të cilat lanë të plagosur disa deputetë.

Deputetë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila ndodhet në pushtet që prej vitit 2002, dhe deputetët e Partisë Republikane Popullore (CHP), gjuajtën me grushte njëri-tjetrin, teksa në ajër “fluturuan” edhe karrige, vazo lulesh etj. Foltorja e parlamentit u dëmtua gjatë grindjeve.

Agjencia e lajmeve “DHA” thotë se disa deputetë janë plagosur në përleshje.

Parlamenti turk po votonte një paketë ndryshimesh kushtetuese prej 18 pikash, e cila e kthen Turqinë nga sistem parlamentar në atë presidencial.

Deputetët e CHP-së kundërshtuan kolegët e tyre të AKP-së, të cilët hidhnin votat e tyre pa hyrë në kabinat e votimit, megjithëse votimi duhej të ishte sekret. Më pas, ligjvënësit nga partia në pushtet tentuan t’i marrin telefonin një deputeti të CHP-së, i cili po filmonte skenën.

Gjakrat u qetësuan pas ndërhyrjes së Zv-Kryeministrit turk, Numan Kurtulmus, dhe liderit të CHP-së Kemal Kilicdaroglu. Por, rreth orës 03:00 të mëngjesit me orën lokale, deputetët e CHP-së “pushtuan” foltoren e parlamentit në përpjekje për të bllokuar votimin, gjë që shkaktoi përleshje të reja.

Pavarësisht dy “seancave” të përplasjes me grushte mes deputetëve brenda pak orësh, Parlamenti turk aprovoi nenet 3,4 dhe 5 të paketës së amendamenteve kushtetuese. “Hurriyet” thotë se tre nenet u kaluan me 341 dhe 343 vota.

Parlamenti do të vijojë punimet përsëri sot pasdreke.

Erdoganit i duhet mbështetja e të paktën 330 deputetëve nga 550 që ka Parlamenti turk për ta çuar vendin në referendum, i cili pritet të mbahet në pranverë. Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) ka 316 deputetë, por Turqia pritet të shkojë në referendum pasi partia në pushtet gëzon edhe mbështetjen e nacionalistëve me 39 deputetë.

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i cili më parë ka drejtuar vendin si kryeministër nga viti 2003 deri në vitin 2014, kërkon ta kthejë Turqinë nga Republikë Parlamentare në Republikë Presidenciale.

Por, partia opozitare CHP këmbëngul kundër ndryshimeve me pretendimet se vendi kthehet në diktaturë dhe ka paralajmëruar se ndryshime të tilla nuk do kryhen pa gjakderdhje./tvklan.al

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”110″ ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser”]