Një ditë pas referendumit të kontestuar nga opozita kanë nisur protestat në qytetet kryesore të Turqisë.

 “Sozcu” raporton se populli është derdhur në rrugët kryesore të kryeqytetit Ankara, Stambollit, Izmirit etj. Protestat kanë nisur gjatë ditës por ato kanë vazhduar edhe në orët e mbrëmjes.

Të gjithë protestojnë rezultatin e referendumit të djeshëm dhe vendimin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për të pranuar si të vlefshme edhe votat pa vulë.

Dhjetë prej protestuesve në qytetin e Izmirit raportohen se janë arrestuar.

Në Stamboll kundërshtarët e ndryshimeve kushtetuese po protestojnë në Bkirkoy dhe në Besiktas.

Në pankartat kundër Presidentit Erdogan, protestuesit thonë se vota kundër në Referendum ka fituar dhe se qeveria ka “vjedhur 2.5 milionë vota”.

Edhe vëzhguesit ndërkombëtar të OSBE-së kanë theksuar në raportin e tyre se standardet ndërkombëtare nuk u arritën në këtë referendum.

Partia Opozitare e CHP-së kërkoi anulimin e referendumit si të vetmen mënyrë për të qetësuar popullin.

Sipas rezultateve jozyrtare të publikuara nga Agjencia Shtetërore e Lajmeve “Anadolu Agency”, 51.41 për qind e turqve votuan pro ndryshimeve kushtetuese, ndërsa 48.59 për qind e votuesve votuan kundër.

Diferenca shumë e vogël në vota ka rritur tensionin në vend. Opozita akuzon qeverinë dhe komisionin Qendror të zgjedhjeve se kanë ndërhyrë në rezultat duke pranuar si të vlefshme votat pa vulë.

Fitorja në referendumin e djeshëm i jep pushtet të madh Presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan.

18 ndryshime kushtetuese do të konvertojnë sistemin qeverisës të Turqisë, nga parlamentar në presidencial. Si rrjedhim zyra e kryeministrit do të shfuqizohet dhe kompetencat ekzekutive e tij do të kalojnë në dorë të presidentit.

Ndryshimet e propozuara do t’i japin te drejtën presidentit te emëroje ministrat dhe zyrtarët e lartë të qeverisë si dhe gjysmën e anëtareve të organizmit më të lartë të drejtësisë në Turqi. Presidenti do të ketë gjithashtu të drejtë të shpallë dekrete dhe të deklaroje gjendje emergjence.

/tvklan.al