Një futbollist u kthye në hero gjatë një ndeshjeje në Republikën Çeke kur i shpëtoi jetën portierit të skuadrës kundërshtare pas një përplasjeje të tmerrshme me një mbrojtës.

Portieri Martin Berkovec, 28-vjeç, doli nga porta për të kapur një top gjatë ndeshjes mes Bohemians 1905 dhe Slovackos, por u përplas rëndë me mbrojtësin e skuadrës së tij, Daniel Krch.

Portieri ra përtokë dhe pothuajse po i ikte gjuha kur sulmuesi i Slovackos, Francis Kone, shikoi rrezikun dhe futi gishtat në gojën e Berkovecit duke e penguar t’a gëlltiste. Kështu ai i shpëtoi jetën portierit kundërshtar.

Berkovic u dërgua menjëherë në spital, ku pritet të shërohet plotësisht brenda një kohe të shkurtër.

Në një postim në “Facebook”, Berkovec falënderoi Konen për ndihmën.

“Daily Mail” tha se edhe trajneri i Slovackos, Michal Kordula përgëzoi Konen për veprimin. “Kjo është mënyra se si duhet të sillen lojtarët ndaj njëri-tjetrit,” tha ai.

Por, rezulton se kjo nuk është hera e parë që Kone i ka shpëtuar jetën një futbollisti gjatë ndeshjes.

Vetë ai thotë se kjo është hera e katërt që i ka tërhequr gjuhën një lojtari tjetër gjatë karrierës së tij. 

Ai më parë ka luajtur në Tailandë, Oman, Protugali, Hungari, Togo dhe Bregun e Fildishtë. /tvklan.al