Goditja “Panenka” nga pika e 11-metërshit dhe më pas tre penalltitë e pritura ndaj lojtarëve kundërshtarë bënë xhiron e botës.

Alban Hoxha i dhuroi Partizanit kualifikimin në raundin e tretë paraeliminator të Ligës së Kampioneve, duke u kthyer jo vetëm në heroin e të kuqve të kryeqytetit, por edhe një personazh mediatik.

Paraqitja e tij në sfidën kundër Ferencvarosh ka bindur edhe disa prej menaxherëve, që ishin të pranishëm në tribunën e stadiumit të Budapestit.

Më shumë ato të Kievos dhe Palermos, dy klubet e Serisë A italiane që janë të interesuara për portierin e kombëtares shqiptare.

Në të shkuarën Hoxha ka shprehur gjithmonë dëshirën për të luajtur në një kampionat të rëndësishëm të futbollit europian dhe duket se drejtoi sërish vëmendjen drejt vetes me paraqitjen e tij të fundit në fushën e lojës.

Por orët e fundit një tjetër pistë akoma më prestigjoze është hapur në të ardhmen e portierit shqiptar.

Bëhet fjalë për Napolin.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Alban Hoxha i është ofruar klubit napolitan nga kompania e menaxhimit “Football Agents Academy”.

Napoli është në kërkim të një portieri zëvendësues pas dëmtimit të Pepe Reina dhe sipas kompanisë së menaxhimit portieri shqiptar konsiderohet si një prej opsioneve të mundshëm./TV KLAN