Kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi njoftoi të enjten se mbledhja për vlerësimin e kërkesës së Prokurorisë për heqjen e imunitetit dhe dhënien e autorizimit  për arrestimin e deputetit Saimir Tahiri do të mbahet nesër në orën 11:00.

Ruçi tha se ditën e enjte në orën 17:00 ka marrë kërkesën e Prokurorisë së Tiranës për dhënien e autorizimit për ndalimin e deputetit Saimir Tahiri.

“Mbasi u konsultova me stafin e Kuvendit… nxjerr këtë urdhër me këtë përmbajtje.

  1. Materiali i depozituar pranë Kuvendit nga ana e Prokurorisë së Tiranës t’u vihet në dispozicion brenda ditës së sotme të gjithë anëtarëve të këshillit të rregullores imunitetit dhe mandateve.

  2. Po kështu, ky material brenda ditës së sotme t’i vihet në dispozicion edhe deputetit Saimir Tahiri.

  3. Brenda ditës së nesërme, pra në datën 20, në orën 11: 00 pranë selisë së Kuvendit kam urdhëruar thirrjen e Këshillit të Rregullores, imunitetit dhe mandateve.

  4. Njoftimin e Prokurorit të Tiranës dhe deputetit Saimir Tahiri për vendin, për kohën dhe rendin e ditës së kësaj mbledhjeje.”/tvklan.al