Ky është autori i dyshuar i vrasjes së ish – Drejtorit të Policisë së Vlorës, Artan Cuku. Policia ka publikuar pamjet e largimit të tij nga vendi i ngjarjes, menjëherë pas krimit mbrëmjen e 8 Prillit. Pamjet janë marrë nga kamerat e sigurisë së një supermarketi aty pranë, si dhe të një lokali bar – kafe, të cilat kanë fiksuar lëvizjet e autorit të dyshuar të atentatit.

Personi duket i veshur me veshje sportive, bluzë ngjyrë blu, tuta të zeza dhe atlete që në pamje të parë duket si vrapues i zonës së liqenit. Në kokë mban një kapele të bardhë. Ndërsa vrapon, ai fut duart në xhepa, ku hetuesit dyshojnë se ka qenë duke fshehur së paku një prej armëve të përdorura në krim.

Pavarësisht kësaj, nuk përjashtohet mundësia që ai të ketë pasur dy armët që janë përdorur në këtë atentat. Pamjet janë regjistruar rreth orës 20:15 minuta të mbrëmjes së të shtunës. Policia dyshon se pas krimit, autori ka ndjekur një rrugë pranë pallatit të Cukut, për të dalë më pas në rrugën “Marko Boçari”.

Më pas, ai përmes rrugicave dyshohet se ka dalë pranë sheshit “Wilson”, ku edhe u gjet e hedhur një qese me rroba. Për identifikimin e tij policia ka vënë edhe një shpërblim prej 3 milion lekësh të reja./Tv Klan

///

https://www.youtube.com//embed/A6qzxqEapyo

Ora 13:46/ Policia publikon pamjet e autorit të dyshuar për vrasjen e Artan Cukut 

Policia e Tiranës, me qëllim zbardhjen e ngjarjes së ndodhur më 8 Prill, publikon disa pamje filmike të një biznesi privat, ku duket autori i vrasjes së Artan Cukut, ish – Drejtorit të Policisë së Vlorës.

Në videon 13 sekondëshe, autori i dyshuar shihet teksa largohet me shpejtësi nga vendi i ngjarjes. Me duar në xhepa, ai mban veshur një xhup blu, pantallona të zeza sportive, një kapele me ngjyrë të hapur dhe një shall të lidhur rreth qafës.

Në një njoftim të shpërndarë për mediat, policia kërkon ndihmën e qytetarëve për të bërë të mundur identifikimin e autorit të dyshuar, i cili rreth orës 20:11, në rrugën e “Kosovarëve” në hyrje të pallatit “Melros” qëlloi me pistoletë, ish – drejtuesin Cuku.

“Lutemi qytetarëve, se për çdo informacion që mund të kenë për të bërë të mundur identifikimin e tij, të kontaktojnë në numrin e telefonit 0694110299. Policia e Tiranës, siguron ruajtjen e anonimatit dhe konfidencialitetin ndaj tyre”

, thotë policia në njoftimin e saj. 

Ndërkohë Policia e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda vijon hetimet intensive për zbardhjen e kësaj ngjarje të rëndë./tvklan.al