1 ton e 110 kilogramë kanabis si dhe një mjet lundrues janë kapur mëngjesin e së mërkurës në Karaburun të Vlorës.

Mjetet lundruese të Policisë Kufitare, Delta Forcë, GdF-së dhe Rojes Bregdetare, në vendin e quajtur “Zhapovel” në Karaburun, janë vënë të martën në ndjekje të një mjeti tip “gomone”, i cili me vetëm një person në bord ecte me shpejtësi në drejtim të bregut të detit.

Trafikanti i dyshuar arriti të braktiste gomonen dhe duke përfituar nga terreni i pyllëzuar në këtë zonë është larguar.

Për shkak të terrenit të vështirë dhe errësirës së mbrëmjes së të martës, shërbimet e përbashkëta janë lënë në terren gjatë gjithë kohës, për tu riorganizuar sërish në mëngjesin e së mërkurës.

Gjatë krehjes së zonës, në vendin e quajtur “Depot e Valanidhit” në Karaburun, midis Gjirit të Bristanit dhe Gjirit të Gramës, u arrit të gjendej një sasi lënde narkotike Cannabis Sativa,  1 110 kg, e paketuar në 54 pako të mëdha dhe e shpërndarë midis pemëve dhe shkurreve.

Gjithashtu, në zonën përreth u gjetën edhe 5 kafshë (mushka), të cilat dyshohet se janë përdorur për transportimin e lëndës narkotike nga një zonë në tjetrën.

Autoritetet po punojnë për zbardhjen e plotë të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e autorëve./tvklan.al