60 kilogramë kanabis, si dhe 3 armë gjahu janë sekuestruar nga policia e Tiranës këtë të enjte, në një operacion të koduar “Ndjekja”. Në pranga kanë përfunduar 2 persona, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim.

Të arrestuarit janë Siçiljan Çakraj, 20 – vjeç, lindur në Tropojë dhe banues në Tiranë, si dhe Bujar Rryta, 54 – vjeç, lindur në Krujë dhe banues në Larushk, Krujë.

Ndërsa në kërkim është shpallur 28 – vjeçari B. Rr, lindur dhe banues në Larushk, rrethi Krujë.

Arrestimi i tyre, sqaron policia, është bërë pas informacioneve të marra se Siçiljan Çakraj dhe B. Rr shpërndanin sasi të mëdha kanabisi në zona të ndryshme të Tiranës.

Të dy këta persona, këtë të enjte u konstatuan bashkë në rrugën Teodor Keko (unaza e re Tiranë), duke lëvizur me fuoristradë KIA me targa AA 166 PP. Ata u konstatuan teksa ishin nisur në drejtim të Kamzës, e më pas në fshatin Larushk në afërsi të banesës së Bujar Rryta, ku dyshohej se fshinin lëndën narkotike, duke u kthyer përsëri në Tiranë.

Kështu, tek “Pallati me Shigjeta”, është bërë ndalimi dhe kontrolli i Siçiljan Çakrajt. Gjatë kontrollit, në xhepin e pantallonave, atij iu gjetën 4.6 gramë kanabis.

Po gjatë operacionit, në ambientet e banesës së Bujar Rrytës, në fshatin Larushk, u gjetën tre fuçi plastike të mbushura me kanabis, si dhe një qese e zezë e mbushur po me kanabis, pesha totale e të cilës rezultoi se ishte 60 kilogramë.

Policia thotë gjithashtu se gjeti edhe 3 armë gjahu të markave të ndryshme, ndërsa sekuestroi edhe 3 celularë, si dhe 1 automjet.

Gjatë ndërhyrjes së policisë B. Rr, ka arritur t’i shmanget kapjes së Policisë, ndaj është shpallur në kërkim dhe po punohet për kapjen e tij./tvklan.al