Këto janë momentet kur efektivët e policisë shoqërojnë me pranga në duar Besnik Çapjen 40 vjeç, nga Elbasani. Ai  kërkohej nga policia italiane dhe Interpoli për akuzën e trafikimit të lëndëve narkotike që prej 28 nëntorit të këtij viti.

40 vjeçari u kap në një lokal bastesh sportive në rrugën “Visarion Xhuvani”, në Elbasan.  Çapja u dërgua në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Elbasanit, ku oficerët e Krimeve i komunikuan arrestimin për llogari të autoriteteve italiane.

Ndaj Çapes Gjykata e Torinos kishte dhënë një vendim dënimi me 6 vite e 4 muaj burg, për akuzat e trafikimit të lëndëve narkotike dhe pjesëmarrjes në organizatë kriminale.

Sipas policisë gjatë periudhës 1 qershor 2011 deri në 16 nëntor 2011, në zonën e Santenas në Torino, Çapja në cilësinë e anëtarit të organizatës kriminale kishte bashkëpunuar për trafikimin e sasive të mëdha të drogës, të llojit kokainë.

Për t’iu fshehur policisë italiane ai ishte kthyer në Shqipëri, ndërsa përdorte dy emra të tjerë, përkatësisht Besnik Bylyku dhe Kliton Prifti.  Sipas avokatit të tij, ka qenë vetë 40-vjeçari në vitin 2012, që ka ndryshuar mbiemrin nga Bylyku ne Çapja, pa sqaruar arsyet.

Tv Klan