Ky është vendi ku policia gjeti trupin e pajetë të Aleksandër Ndokës, vëllai i ish-deputetit socialist Arben Ndoka. Ai u gjet i ekzekutuar me armë zjarri në makinën e tij, ende pa zbardhur dita.

Babai i katër fëmijëve ishte anëtar i Këshillit Bashkiak të Lezhës që prej vitit 2015 dhe ishte pronar i një biznesi privat.

48 – vjeçari u ekzekutua pranë shtëpisë së tij në lagjen “Nënë Tereza”, nga persona ende të pa identifikuar. Nuk dihen ende arsyet e këtij ekzekutimi mafioz. Referuar formularit të vetëdeklarimit Ndoka nuk rezulton person me precendentë penalë. 

Paraprakisht dyshohet se dy mund të kenë qenë atentatorët, megjithatë, sipas korrespondentit të ABC News, Gjergj Figuri, policia është e rezervuar në dhënin e informacionit. 

Forca të shumta policore kanë shkuar në vendin e ngjarjes sëbashku me Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë të Shkodrës. Autoritetet kanë ngritur pika të shumta kontrolli, si dhe kanë sekuestruar kamerat e bizneseve përreth, me qëllim identifikimin e autorëve.

Kohë më parë, Samuel Ndoka, djali i 48 – vjeçarit u arrestua pasi plagosi një person.

Ndërsa i vëllai, ish-deputeti i Partisë Socialiste, Arben Ndoka, e la mandatin e tij pasi rezultoi se kishte qenë i dënuar në Itali për trafik të qenieve njerëzore.

/tvklan.al