Lokali që shikoni në pamjet e siguruara nga ABC News, është vendi ku thuhet se u realizua audio-përgjimi midis Albert Veliut, ose i njohur ndryshe si “Babalja” me të supozuarin vëllain e ministrit të Brendshëm, Agron Xhafa.

Një ambient ku shërbehet kafe, në katin e dyte të një pallati, përgjatë bulevardit Vlorë- Skelë.

Vlonjatët e njohin prej shumë vitesh si pronë e Agron Xhafës, zëri i të cilit hamendësohet se ishte në audio përgjimin, në bashkëbisedim me Babalen për afera të trafikut të kanabisit.

Në lokalin “Miami”, vazhdohet të shërbehet. Fqinjët i thanë ABC News se klientela nuk ka pësuar rënie.  Sikurse ai nuk është mbyllur asnjë ditë megjithëse tashmë dyshohet si strofka ku u gatua përgjimi që shkaktoi skandal.

Në kohën kur u regjistruan zërat mes Babales që kërkonte drogë për të dalë nga gjendja e tij e vështirë ekonomike, dhe sipas tij,  Agron Xhafës, kanë qenë dhe persona të tjerë, por që identiteti i tyre nuk bëhet publik.

Gazetari Jetmir Olldashi i cili ka pranuar se ishte një investigim prej tij, nuk ka qenë prezent në procesin e audio përgjimit dhe as e ka parë dhe njeh Agron Xhafën.

Olldashi ka folur për median se koha kur u realizua audio-përgjimi ishte Tetori i vitit të kaluar, kurse PD e bëri publike më datë 14 Maj.

Dy ditë më pas, vëllai i ministrit Xhafa përmes një letre publike mohoi të ishte zëri i tij. Ai dha një deklarim në Prokurori dhe më pas iu vetëdorëzua policisë italiane në aeroportin e Rinasit.

Një ditë më pas PD transmetoi intervistën që gazetari Olldashi kishte realizuar me Babalen, i cili tregoi se kishte vepruar për hakmarrje dhe se zëri tjetër ishte i ish-shokut të tij Agron Xhafa. Në Vlorë familjarët e Babales apo të Albert Veliut janë larguar nga banesa, por në “Miami bar” klientela vazhdon. /

abcnews.al