Për afro dy orë, opozita protestoi për largimin e Kryeministrit Rama dhe ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj. Marshimi nisi nga Ministria e Brendshme, ku më herët të rinjtë demokratë vendosën disa simbole për të treguar kapjen politike të drejtësisë nga Kryeministri.

Por pavarësisht protestës, kjo e shtunë për ministrin Xhafaj ishte një ditë normale pune. Ai hyri në mëngjes në zyrë dhe qëndroi aty deri në përfundim të tubimit.

Sali Berisha përpara se t’i bashkohej kryetarit të demokratëve Basha në marshimin drejt Ministrisë së Brendshme, përshëndetjen e parë e pati për uniformat blu, të cilëve u kujtoi se vettingu duhet të kishte nisur nga shefi i tyre.

Pas marshimit në Bulevardin “Dëshorët e Kombit” përpara Kryeministrisë, Lulzim Basha kërkoi largimin e qeverisë, të cilën e akuzoi se ka braktisur shqiptarët dhe është vënë në shërbim të krimit e drogës.

“Ky pushtet i ka rrënjët tek krimi e droga. Sot s’duhet të ketë asnjë iluzion se kjo qeveri do çlirohet vetë, të jetë e qartë largimi i kesaj qeverie. Ne nuk kërkojmë thjesht ndryshimin e qeverive, por ndarjen e politikës nga e keqja, ne kërkojmë një qeveri që punon për njerëzit dhe të ardhmen e tyre, por asnjë qeveri nuk bëhet e mirë, pushtetin e bën të mirë vetëm frika nga populli”.

Shqiptarët i ftoi të bashkohen kundër projektit më antikombëtar sikundër e cilësoi  “Rilindjen”.

“Rilindja u ngrit mbi katër gjëma antikombëtare. Mbi aleancën me krimin, zëvendësimin e shtetit të së drejtës me sundimin personal, mbi përqëndrimin e pasurive në pak duar, mbi mashtrimet, proagandën. Rilindja nuk degradoi rrugës, por ishte një projekt kriminal për pasurimin personal të një individi dhe grushti lakenjsh ndaj tij, ndaj që ditën e parë e vandalizoi drejtësinë. Tani batica po ngrihet përsëri, ky është momenti ynë, kjo është vala që po ngrihet. Le të lëshohemi mbi të në një udhëtim drejt të ardhmes europiane”.

Vargjet e Naim Frashërit i shërbyen për t’i kujtuar miqve ndërkombëtarë se kauza e tij është për një Shqipëri europiane.

“Jemi këtu për t’i treguar Europes dhe Perëndimit se qeveria bizantine nuk përfaqëson popullin dhe aspiratën e shqiptarëve, jemi mbledhur për të qëndruar si europianë përballë qeverive më anti-europiane që ka sot Europa”.

Ndoshta temperaturat e larta bënë që qytetarët të mos e mbështesin Lulzim Bashën masivisht në këtë marshim, ndryshe nga sa ka ndodhur më parë. Disa nga ata që dolën në protestë, hodhën në drejtim të Kryeministrisë tymuese, flakadanë, bojë apo edhe shishe me ujë.

Më pas marshimi vijoi drejt Ministrisë së Brendshme, ku Basha i drejtoi protestuesit, ndonëse vetë u largua për t’u rikthyer më vonë.

Edhë këtu tensioni nuk mungoi. Madje pati edhe të lënduar në të dyja palët. Rikthimi i Lulzim Bashës mbylli protestën. Mesazhin e fundit kundërshtarit të tij politik i’a dha nga selia blu

Më pas kreu i demokratëve u nis drejt Spitalit Ushtarak për të vizituar kryeredaktorin e gazetës “Rilindja Demokratike”, për të cilin tha se u lëndua nga uniformat e policisë në protestë.

Tv Klan