Me rënien e fluksit të turistëve, Kryeministri Edi Rama paralajmëroi një operacion kombëtar të Policisë së Shtetit, me qëllim pastrimin e fenomenit të kanabisit, që siç theksoi ai njollos vendin, por jo vetëm. Ky operacion do të ketë për qëllim goditjen e elementëve kriminalë në të gjithë vendin.

“Policia të përgatitet për një operacion të madh kombëtar, ndaj atyre që “kanë statusin e të fortëve”. Mjafton që ky operacion që duhet përgatitur me shumë kujdes, të vihet në zbatim me përfundim të sezonit”.

“Është koha ta pastrojmë Shqipërinë jo vetëm nga kanabisi, por edhe nga këto mikrobe të gjalla që kërcënojnë sigurinë e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Policia ka informacionin e duhur, ka emra, bëma, lidhje, lëvizje të këtyre lloj mikrobeve që të bëjnë të mundur operacionin super të suksesshëm në këtë drejtim për t’i dhënë një mesazh njerëzve të këtij vendi se, koha kur shteti ishte vetëm një aleternativë e sigurisë së tyre ka ikur.”

Kreu i qeverisë tha se

“ka ende kryetar bashkish apo njësish administrative që nuk janë shfaqur në lartësinë e kësaj sfide, për çrrënjosjen e fenomenit të kanabisit”.

Rama bëri gjithashtu thirrje për goditjen e elementëve brenda Policisë së Shtetit, të cilët janë të lidhur dhe të nënshtruar ndaj këtyre elementëve kriminalë.

Deklaratat, Kryeministri i bëri në mbledhjen e kësaj të hëne të Task Forcës për luftës kundër kanabisit, në Zyrën Operacionale të Situatës.

Në nisje të mbledhjes, një postim në rrjetet sociale, Rama paralajmëroi sekuestrim të aseteve kriminale dhe ndjekje, arrestim e ndëshkim ligjor të “të fortëve”, gjë të cilën e theksoi edhe në fjalën e tij

Drejt zmbrapsjes totale të kultivuesve të kanabisit në të gjithë territorin e vendit dhe pastrimit përfundimtar të hartës së Shqipërisë nga njolla e këtij fenomeni kriminal. Në rend të ditës sekuestrimi i aseteve kriminale dhe ndjekja, arrestimi e ndëshkimi ligjor i “të fortëve” në feudet e në llagëmet e drogës

“, shkruajti Kryeministri./tvklan.al


⁠⁠⁠⁠⁠Takimi me Kryeministrin/ Fjala e Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Haki Çako

Bazuar në një nga prioritet dhe objektivat kryesore të Policisë së Shtetit gjatë këtij viti, në vlerësim të porosive te dhëna nga Kryeministri i vendit gjatë gjithë kohës e në veçanti në takimin e datës 18 korrik , si rezultat i punës së bërë me informacionin policore, sensibilizimin e gjerë, monitorimin nga ajri dhe toka si edhe intensifikimin e kontrolleve policore deri ne skajin me fundor gjeografik, duke marrë në konsideratë momentin e ciklit stinor të kultivimit të bimës narkotike cannabis sativa, arrijmë në konkluzionin se jemi në një situate të plotë kontrolli dhe me rezultate të pakrahasueshme ndër vite të këtij fenomeni.

Ndonëse stina e verës përbën periudhën më të rëndësishme në finalizimin e kësaj veprimtarie të paligjshme të kultivimit, nga puna e bërë janë evidentuar edhe raste të shkëputura të kultivimit të fidanëve në kubik me të cilat është proceduar menjëherë duke arrestuar dhe vënë përpara përgjegjësisë ligjore autorët si dhe asgjësuar në vend konform procedurave bimët e kultivuara.

Duke pare këtë tendence të gjitha strukturat e Policisë së Shtetit kanë vazhduar rikontroll total të territorit sidomos ne ato ambiente ku mund të kultivohen fidanëve të bimës narkotike cannabis sativa si në sera diellore, tunele të braktisura, dhe çdo ambient tjetër.

Deri tani janë ushtruar 3711 kontrolle, janë angazhuar 691 grupe kontrolli me pjesëmarrjen e 2602 punonjës Policie, janë identifikuar dhe asgjësuar 2064 fidanë kubikë të cilat ishin përgatitur për tu kultivuar.

Një element shumë i rëndesishëm i Planit të Veprimit te Qeverise, për luftën kundër kultivimit dhe trafikimit te cannabisit ka qënë dhe mbetet evidentimi, zbulimi, dokumentimi dhe goditja e grupeve kriminale te cilët merren me kultivimin dhe ne veçanti trafikimin e lëndëve narkotike.

Në ketë drejtim puna e strukturave të Policisë se Shtetit është përqendruar në dy aspekte të karakterit profesional,

Së pari, hetimet proaktive të grupeve kriminale te kultivimit të bimëve narkotike, te cilët organizohen në formë të strukturuar dhe nxisin kultivimin, grumbullimin dhe me pas trafikimin e lëndëve narkotike.

Gjatë këtij viti si rezultat i këtyre hetimeve janë goditur 40 raste me informacion policor nga të cilat 11 janë me metoda speciale te hetimit.

Për këtë qellim ne Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit është krijuar edhe një sektor i posaçëm i cili ka për objekt organizimin e punës dhe koordinimin e hetimit me të gjitha strukturat e policisë së shtetit po dhe me agjencite e tjera të zbatimit të ligjit për parandalimin dhe goditjen e veprave penale në fushën e kultivimit të bimëve narkotike.

Ne këtë kuadër janë dhënë detyra dhe angazhuar të gjithë punonjësit e policisë ne marrjen, administrimin dhe transmetimin e informacionit.

Së dyti, hetimet proaktive dhe goditja e grupeve kriminale që merren me trafikimin e marjuanes së prodhuar, dhe njëkohësisht ajo çka është me rëndësishme në ketë proces hetimi i aseteve pra i pasurisë që është krijuar si rezultat i këtij aktiviteti kriminal, qofshin këto për individë apo grupe kriminale të goditura nga policia brenda vendit apo nga policitë e vendeve të tjera.

Gjatë këtij viti nga Policia e Shtetit janë kryer 1620 verifikime pasurore të subjekteve dhe familjarëve të tyre, të dyshuar për kryerje të veprave penale të prodhimit, shitjes dhe trafikimit të lëndës narkotike marijuanë, janë bërë 9 referime, në Prokurorinë për Krimet e Rënda Renda, janë dërguar 6 relacione me indicie për hetime pasurore në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe në Prokuroritë e Rretheve Gjyqësore.

Po kështu nga ana e Policisë së Shtetit, aktualisht janë referuar në Prokurori dhe po bëhen hetime pasurore për 5 grupe kriminale të cilët dyshohet se merren me prodhim, shitje dhe trafik lëndësh narkotike marijuane. Janë identifikuar pasuritë dhe astetet e tyre si, shoqëri tregtare, hotele, lokale, banesa, toke truall, automjete etj.

Nga hetimet pasurore në fushën e prodhim, shitje dhe trafikut të marijuanës, nga Gjykata për Krimet e Rënda gjatë kësaj periudhe është bere konfiskimi për 2500 m2, tokë truall ndërtimi dhe 3089 m2, ndërtim.

Duke vlerësuar maksimalisht faktin se goditja dhe shkatërrimi i grupeve kriminale realizohet përfundimisht me konfiskimin dhe sekuestrimin e aseteve te vendosura nga këto veprimtari, për këtë kërkohet bashkëpunim me i ngushtë Polici – Prokurori dhe institucionet e tjera ligjzbatuese dhe gjykata.

Për të përmirësuar këtë bashkëpunim, por dhe për ti dhënë përparësi hetimit të këtij kriminaliteti propozojmë ngritjen e task-forcave së bashku me Prokurorinë.

Qëllimi task –forcave do të jetë hetimi i veprave penale në fushën e drogës për lëndët narkotike cannabis sativa/marijuanë të tilla si:

• prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike (në këtë rast e marjuanes);

• trafikimi i narkotikeve (në këtë rast i marijuanes (eksportimi, tranzitimi dhe tregtimi i lëndëve narkotike (marijuanës) si dhe farërave dhe i bimëve narkotike;

• parandalimin dhe goditjen e veprave penale të mësipërme, nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë (konfiskimit të pasurisë);

Policia e Shtetit është e vendosur dhe po bashkëpunon me të gjithë institucionet shtetërore, administratës publike dhe ato private, për ta finalizuar me sukses këtë betejë, ashtu siç është e vendosur që të çojë përpara përgjegjësisë penale edhe ata zyrtarë dhe punonjës të shtetit, apo punonjës policie të cilët nuk zbatojnë detyrimet që kanë në bazë të Planit Kombëtar të Veprimit “Kundër kultivimit dhe trafikimit të kanabisit 2017 – 2020”.


Fjala e zv/ministres së Punëve të Brendshme, Drejtuese e Task Forcës Antikanabis, Rovena Voda:

Gjatë 2 javëve të fundit, fokusi nuk ka qenë vetëm lufta kundër kultivimit por edhe trafikimit të narkotikëve.

Në këtë frymë është konceptuar e githë lufta e Ministrisë së Punëve të Brendshme për t’u ndarë në dy fronte:

Fronti i parë—identifikimi dhe eliminimi i kanabisit ,qoftë me fluturime nga ajri, qoftë me operacione tokësore të shtrira në të gjithë territorin e Shqipërisë. Rezultatet janë mbreslënëse pasi po e zerojmë kultivimin në vend.

Gjithashtu besoj se është lufta e pa kompromis që po zhvillohet në çdo cep të Shqipërisë, që provon dëshmitë e raportimeve që vijnë nga fluturimet ajrore të partnerëve, për parcela në zona të thella.

Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat, në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në zbatim të Planit Operacional të Shërbimit, ka shkëmbyer me Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit dhe Drejtoritë Vendore 33 informacione për kultivim e trafikim të lëndëve narkotike.

Gjithashtu në linjën e gjelbër 0800 90 90 nga qytetarët janë denoncuar 5 raste për kultivim dhe trafikim të narkotikëve. Në këtë aspekt, Ministria e Punëve të Brendshme i nxit qytetarët të jenë bashkëpunues me Policinë e Shtetit dhe autoritetet ligjzbatuese.

Gjithashtu në nivel qarku janë ngritur dhe funksionojnë rregullisht Task-Forca Vendore, nën drejtimin e Prefektit. Çdo muaj organizohen deri në 4 takime sipas problematikave. . Nga këto struktura është bërë identifikimi i nevojave për zbatimin me sukses në nivel vendor të PKK.

Zhvillimi alternativ, mbetet hapi i radhës në punën tonë për zbatimin e plotë të PKKK, në bashkëpunim me institucionet e tjera shtetërore dhe partnere për të ofruar mundësi dhe zhvillimi të ligjshëm.

I ftoj të gjitha institucionet që janë pjesë e masave që prekin zhvillimin alternative t’i përfshijnë ato në programet e reja të punës së tyre për 4 vjecarin e ardhshëm qeverisës.

Fushata ndërgjegjësimi po ndërmerren në kuadër të një Plani Komunikimi, të hartuar e zbatuar nga Ministria e Punëve të Brendshme si autoritet përgjegjës i ngarkuar. Ky Plan Komunikimi po fokusohet tek ndërgjegjësimi për bashkëpunim qytetar në raportimet e rasteve të paligjshme të kultivimit e trafikimit.

Në vijim është ngritur një grup pune i përbërë nga ekspertë të komunikimit të disa ministrive si: e Shëndetësisë, Arsimit, e Bujqësisë, e Mirëqenies Sociale, e Mjedisit, e Drejtësisë, e Punëve të Jashtme, e Mbrojtjes (Forcat e Armatosura), e Financave, për Çështjet Vendore. Gjithashtu pjesë e grupit të punës do jetë edhe Prokuroria e Përgjitshme.

Objektivi i Planit të Komunikimit është ndërgjegjësimi për uljen e konsumit të kanabisit, përmes:

– një fushate edukuese tek grupet më të ekspozuara dhe moshave më delikate mbi dëmet shëndetësore dhe pasojat individuale, familjare e shoqërore;

– prezantimit të alternativave nga ministritë e linjës;

– materialeve mbi penalitetet e parashikuara nga ligji në kuadër të tolerancës zero.

Aktualisht për komunikimin informues, në kuadër të transparencës së punës së Policisë, rregullisht jepen njoftime për shtyp dhe pamje mbi operacionet e Policisë gjatë kontrollit dhe monitorimit të zonave në rang kombëtar apo në nivel qarku, në mediat vendase apo të huaja.

Fronti i dytë – lidhet me luftën kundër trafikimit dhe aseteve pasurore të grupeve kriminale.

Policia e Shtetit ka goditur grupe të strukturuara kriminale si ai në fshatrat e Vlorës, me 9 të arrestuar dhe disa tonelata drogë të sekuestruar. Mes të ndaluarve kishte edhe punonjës policie; por edhe një tentativë trafikimi në bregdetin e Kavajës. Në një operacion të përbashkët me partnerët italianë të Guardia di Finanzas u kap një skaf që tentoi të dërgonte në anën tjetër të detit një sasi mbi 1 ton hashash.

Hetimet janë intensive për të zbuluar lidhjet dhe pasuri të tyre, që mund të kenë burim të dyshimtë. Pa dyshim që ndëshkimi do të jetë i ashpër për këdo që do të rezultojë i përfshirë. Policët e implikuar do të marrin ndëshkimin shëmbullor.

Nga 1 janari deri sot janë 48 grupe kriminale të goditura në fushën e narkotikëve. Një shifër domethënëse, besoj unë, që tregon se Policia po i shkon në zemër problemit dhe një përgjigje për zërat kryesisht mediatikë që thonë se kemi arrestuar punëtorët, por jo kokat e grupit.

Hetime intensive po zhvillohen për goditjen në zemër të aktiviteteve kriminale të kultivimit dhe trafikimit të narkotikëve .

Këtë vit janë kryer 1620 verfikime pasurore të subjekteve apo familjarëve të tyre të dyshuar për implikim në kultivim apo trafikim të lëndëve narkotike. Aktualisht janë referuar në prokurori dhe po bëhen hetime pasutore për pesë grupe kriminale me asete si shoqëri tregtare, hotele, lokale, banesa, tokë truall, automjete, etj.

Dua ta ritheksoj se lufta jonë e përbashkët kundër drogës vazhdon. Këtë vit me më shumë forcë, vendosmëri me një objektiv të qartë – zero kultivim dhe nxjerrjen e Shqipërisë nga harta e drogës.

Bashkëpunimi me partnerët është në nivele të larta, inkurajues për betejën kudo e ndaj kujtdo, sepse nuk njohim asnjë të pandëshkueshëm.

Kjo luftë jo vetëm ndaj drogës, por krimit në tërësi duhet pranuar, ka kosto e nuk mbaron në fund të vitit. Por do ta vazhdojmë deri kur paratë që prodhon e riciklon krimi e droga, të shkojnë para drejtësisë. Kjo është rruga për ta bërë Shqipërinë më të sigurt!E dimë vështirësinë dhe rëndësinë, e ndaj nuk kthehemi dot pas.