Kryebashkiaku i Londrës Sadiq Khan është detyruar të pezullojë për disa minuta fjalimin e tij në një konferencë për shkak të protestës së disa mbështetësve të presidentit amerikan Donald Trump.

Protestuesit shkuan drejt vendit ku po fliste kryebashkiaku i Londrës sapo ai mori fjalën. Ata e akuzuan kreun e Bashkisë së Londrës për shkelje të Kushtetutës angleze. Konferenca u ndërpre për disa minuta, deri sa policia shoqëroi demonstruesit. Sipas mediave britanike, protesta u nxit nga komentet e kryebashkiakut Khan lidhur me vendimin e Presidentit Trump që anuloi vizitën e tij në Britaninë e Madhe.

Trump deklaroi se ai u tërhoq nga hapja e ambasadës së re amerikane në Londër, pasi nuk ishte dakord me vendimin që godina ekzistuese të shitet. Këtë deklaratë, kryebashkiaku i Londrës e komentoi duke thënë se Donald Trump e kishte marrë mesazhin që shumë londinezë nuk e mirëprisnin vizitën e presidentit amerikan.

/tvklan.al