Reshjet e dendura që kanë përfshirë Tiranën, që prej mbrëmjes së djeshme dhe gjatë natës, kanë shkaktuar turbullirë në Liqenin e Bovillës, duke sjellë një situatë kritike në impiantin e përpunimit të ujit e për rrjedhojë në furnizimin me ujë për një pjesë të qytetit.

Aktualisht, nga matjet që stafi i Ujësjellës-Kanalizime Tiranë kryen çdo 15 minuta, niveli i turbullirës në impiant rezulton 13.000 NTU, nga 50-65 NTU që duhet të jetë normalisht për t’u futur në përpunim, e më pas për shpërndarje në çezmat e qytetarëve. Për këtë arsye, momentalisht impianti i përpunimit të ujit të liqenit të Bovillës është stakuar.

Situatën në të cilën ndodhet impianti i Bovillës dhe nivelin e turbullirës aty e tregon edhe kjo video e regjistruar pak minuta më parë në stacion.

Pavarësisht kësaj, UKT po shfrytëzon maksimalisht të gjitha burimet e saj alternative, konkretisht burimet e Shën Mërisë, Selitës, Bërxullit dhe Laknasit, për të ulur sa të jetë e mundur mungesën e ujit të pijshëm për qytetarët e Tiranës, deri në përmirësimin e situatës në Bovillë.

Bashkia e Tiranës dhe UKT u bën thirrje të gjithë qytetarëve të saj të tregohen të kujdesshëm me përdorimin e ujit të pijshëm gjatë orëve në vijim, derisa turbullira e shkaktuar nga prurja e madhe e rrjedhjeve në liqenin e Bovillës të pastrohet dhe impianti të kthehet në punë në kapacitet të plotë.

UKT ka marrë masat duke furnizuar me bote në mënyrë të pandërprerë të gjitha institucionet e rëndësisë së veçantë sidomos spitalet, maternitete, azile dhe konvikte etj., në mënyrë që ky problem të mos ndikojë në ecurinë normale të punës së tyre. UKT ka në dispozicion 20 bote që furnizohen vazhdimisht me ujë të pijshëm dhe shpërndahen në mënyrë të organizuar.

Për çdo problematikë me ujin e pijshëm, UKT ka në dispozicion numrin e saj pa pagesë 08004488.

/tvklan.al