Pamjet që shikoni tregojnë gjendjen e mjerueshme të familjes së Sadete Braka në fshatin Ferras të Fierit. Banesa e tyre, nëse mund të konsiderohet e tillë, u përmbyt nga vërshimet e lumit Vjosë të disa ditëve më parë. Uji ka shkatërruar gjithçka. Shtëpia është bërë e pabanueshme.

Në kushte tejet të vështira, në këtë shtëpi jetojnë 5 anëtarë të familjes. Ata janë pothuajse të gjithë të sëmurë; një 90-vjeçare e verbër, një djalë i ri 27 vjeç i cili vuan nga depresioni, një 63-vjeçar që ka kaluar hemorragji cerebrale dhe një tjetër i moshuar 78 vjeç i sëmurë nga prostata. Dhe anëtarja e pestë e familjes është vajzë adoleshente 18 vjeç, e cila ndihmon të afërmit e saj.

Redaksia e tvklan.al bisedoi me ta dhe thanë se komisioni i vlerësimit të dëmeve e cilësoi shtëpinë të pabanueshme. Por deri tani, sikurse thonë ata, nuk kanë marrë asnjë ndihmë dhe askush nuk është interesuar për ta. Familja Braka i bën apel komunës së Levanit dhe Bashkisë së Fierit që t’u vijnë në ndihmë duke i sistemuar në kushte të tjera të jetueshme. Kjo nuk është hera e parë që banesa e tyre përmbytet. Edhe në vitin 2015 u përsërit e njëjta situatë, por vërshimet e këtij viti kanë qenë shkatërrimtare. Përveç se të sëmurë dhe të pamundur, kjo familje tashmë përballet me varfërinë e tejskajshme dhe kushtet e pamundura për të jetuar. E gjithë ndihma që ata kanë, është 18-vjeçarja dhe solidariteti i banorëve të zonës.

/tvklan.al