Telefonatat janë veçanërisht të rëndësishme në kohë krize. E tillë mund të quhet edhe koha në të cilën po kalon Turqia dhe Gjermania, pas anulimit të mitingjeve për ministrat turq nga bashkitë gjermane dhe thirrjes së ambasadorit gjerman në Ankara nga ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë për sqarime.

Kryeministri turk, Binali Yildirim, i cili po fliste në një po fliste në një miting në qytetin Kirsehir, në Turqinë qendrore, u detyrua të ndërpriste fjalimin për një telefonatë me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Televizioni turk  “NTV”  thotë se kryeministri turk nisi fjalimin rreth orës 14:20, ndërsa në orën 14:55 tha se “në orën 15:00 kam një bisedë telefonike me kancelaren gjermane, Angela Merkel. Të flas me të dhe po kthehem. Mos u largoni. Sa është ora? Mund ta përfundojmë këtë punë (mitingun) në pesë minuta? Në rregull, po kthehem. Ju ruajt Zoti!”

Pasi tha këto fjalë kryeministri turk u largua nga podiumi për të folur me Merkelin. Media turke thotë se ai nuk u kthye më para mbështetësve të partisë së tij, të cilët ishin mbledhur për të shprehur mbështetjen e tyre për ndryshimin e kushtetutës në referendumin e 16 Prillit, i cili do t’i japë më shumë pushtet Presidentit Erdogan.

Duke folur për telefonatën me Merkelin më vonë, Yildirim tha se “kaloi mirë dhe ishte frytdhënëse.”  Ai nuk dha detaje të tjera si sa kishte zgjatur telefonata, pse nuk ishte kthyer në podium apo për çfarë kishte diskutuar me Merkelin. /tvklan.al