Ky është momenti kur David Qosja është arrestuar nga policia, pas disa orësh rezistence të armatosur nga ana e tij, në banesën private në Torovicë të Lezhës.

Policia shpërndau dhe një video gjatë operacionit të RENEA -s, për neutralizimin dhe arrestimin e 30 – vjeçarit që vrau efektivin e policisë, Ardian Kodra.

Nga holli i banesës, David Qosja, që njihej në zonë si person me çrregullime mendore, ka gjuajtur në drejtim të makinës së FNSH -së. 3 prej plumbave kanë dëmtuar xhamin e parë të mjetit, ndërsa një plumb i vetëm ka kapur policin 47 – vjeçar, me detyrë shofer i mjetit, që sapo kishte zbritur.

Ekspertët e Policisë Shkencore janë paraqitur gjatë paraditres së të shtunës në vendgjarje për të mbledhur prova të tjera.

Plumbat e kallashnikovit gjenden kudo, që nga porta hyrëse, muret e jashtme të banesës, e deri tek ana tjetër e rrugës, në drejtim të cilës ka qëlluar autori.

Ndërsa shkëmbehej zjarr mes policisë dhe David Qosjes, banorët kanë përjetuar momente frike.

Në policinë e Lezhës, 30 – vjeçari nuk ka pranuar të flasë. Ai ndodhet në gjendje të rënduar psikologjike.

Në Torovicë, fqinjët tregojnë se ai e kishte frike policinë, ndaj dhe ka qëlluar në drejtim të saj. Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë shkuan në shtëpinë e tij, pasi kishin marrë informacione se ai po qëllonte në drejtim të kodrës, pa arsye.

Tv Klan