Dy persona të tjerë i janë bashkuar nismës për dorëzimin e armëve.

Në Mallakastër, një biznesmen dorëzoi në polici armën që e mbante që prej vitit 1997. Në një video të shpërndarë po policia, ai i bën thirrje të gjithëve që të dorëzojnë armët, pasi sipas tij, rendi dhe siguria janë rritur ndaj dhe nuk është e nevojshme për të mbajtur armë të tilla.  

“Jam biznesmen. Kam ardhur të dorëzoj armën që e posedoj që nga viti 1997. Duke iu përgjigjur thirrjes së

Ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, u bëj thirrje të gjithë qytetarëve të Mallakastrës dhe gjithë Shqipërisë të dorëzojnë armët, pasi e shikojnë vetë që rendi e siguria është rritur dhe nuk kemi përse të posedojmë të tilla armë”.

Edhe në Korçë, burime zyrtare bëjnë të ditur se një grua, në mënyrë vullnetare është paraqitur në Komisariatin e Policisë të këtij qyteti dhe ka dorëzuar një armë zjarri dhe 350 fishekë.

Teksa dorëzoi armën, gruaja falenderoi policinë për nismën e ndërmarrë.

https://www.youtube.com//embed/dkcla0QBVU4

Të enjten, një i moshuar në qytetin e Durrësit iu bashkua fushatës “Shqipëria pa armë”, duke dorëzuar një kallashnikov, 2 karikatorë dhe 300 fishekë, të cilat i kishte gjithashtu që prej vitit 1997.

Me miratimin e amnistisë, çdo qytetar që dorëzon armën vullnetarisht deri më 30 Prill nuk ka pasoja ligjore dhe nuk ndiqet penalisht./tvklan.al