Kjo është doza ditore e heroinës që duhet të konsumojë një person që  ka krijuar varësi nga droga. Indriti tregon për mikrofonin e Klan Plus se ka 20 vite që konsumon drogë. Edhe pse shumë herë është përpjekur që të shkëputet, ai nuk ka patur sukses.

“Kam nisur të konsumoj drogë që në moshën 16 vjeç, në `97 në kohën e trazirave”.

Konsumimi i dorgave të forta, intravenoze, veç problemeve shëndetësore të pakthyeshme, kanë edhe një kosto financiare. Ndaj shpesh herë përdoruesit detyrohen të vjedhin për të siguruar paratë.

“Kur kemi 5 mijë lekë, bëhemi bashkë me ndonjë shok dhe blejmë dozën. Kur nuk i kemi lekët, kemi bërë si shumë të tjerë, kemi mashtruar familjarët, apo edhe kemi vjedhur”.

Sipas 36-vjeçarit, gjetja e drogës në Tiranë është një gjë shumë e lehtë.

“Nëse gjen lekët se ke problem, se ne kemi shumë vite na njohin të gjithë tani. Mjafton të krijosh kontaktet, se në çdo cep të Tiranës ke pika shitjeje”.

Përdorimi i drogës në vendin tonë është kthyer në një plagë sociale, pasi sipas të dhënave rezultojnë se janë 60 mijë përdorues droge, ku rreth 10 mijë janë përdorues të drogave të rënda. /KLAN PLUS