Policia e Shtetit ka reaguar zyrtarisht për sekuestrimin e resortit luksoz “Santa Quaranta” dhe prova të tjera të Kelmend Balilit në Sarandë.

Policia thotë se regjistrimi penal për Balilin ka nisur zyrtarisht më 3 Prill 2016 për trafik droge, kur u bënë publike hetimet nga pala greke.

Paralelisht me procedimin për trafik narkotikësh, Drejtoria për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Departamentin për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimet e Rënda në Policinë e Shtetit, ka investiguar dhe përcjellë në vazhdimësi të dhëna mbi pasuritë e anëtarëve të dyshuar të këtij grupi, të cilat dyshohet se janë vendosur nga aktivitet kriminal. 

Mbi bazën e këtij materiali, Prokuroria për Krimet e Rënda ka rregjistruar procedimin pasuror nr.5, të vitit 2017, për hetim pasuror për gjithë lidhjet familjare të grupit “Balili”.

“Policia e Shtetit ka ekzekutuar sot vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, të pasurive në emër të Kelmend dhe Bashkim Balilit, që janë:

– ish-kampi i Pushimit të Punëtorëve në Sarandë, aktualisht Hotel ‘Santa Quaranta’;

– 28,690 m2 truall;

– 36 apartamente e njësi shërbimi, me rreth 2.178 m2 sipërfaqe.

Këto pasuri të sekuestruara do të administrohen dhe përdoren nga Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara, pranë Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Grupi ‘Balili’ është një nga grupet kryesore të skeduara nga Policia e Shtetit në kuadër të operacionit ‘Forca e Ligjit’, që ka për objekt edhe goditjen e pasurive apo aseteve me burim kriminal. E në këtë kuadër, hetimet po vijojnë me intensitet”,

thuhet në njoftimin e Policisë së Shtetit.

Autoritetet kanë vënë në dispozicion edhe numrat 112 dhe 129 për të telefonuar kushdo që ka informacione të vlefshme për identifikimin dhe zbulimin e pasurive apo aseteve të tjera në pronësi të Balilajve, duke garantuar anonimatin.

/tvklan.al