Lagjia ‘Nënë Tereza’ në qytetin e Lezhës ishte destinacioni i mijëra njerëzve që shkuan për t’i dhënë lamtumirën e fundit Aleksandër Ndokës, vëllait 48-vjeçar të ish-deputetit të Lezhës Arben Ndoka.

Furgoni i policisë së burgjeve solli edhe të birin e viktimës, Samuelin, i cili ndodhet i ndaluar për një ngjarje në Shëngjin, ku mbeti i plagosur një aktivist i LSI. Nuk mungonin personazhe të jetës politike lokale apo edhe ata të ardhur enkas nga Tirana.

Rrugët u mbushën me automjete, kurse pranë vendit ku janë edhe banesat e familjarëve të viktimës, shihej grumbulli i madh i njerëzve për të bërë homazhe. U desh edhe mbështetja e policisë rrugore për të normalizuar trafikun që krijohej nga vargu i mjeteve në drejtim të mortit. Në mesditën e kësaj të diele, kortezhi i shoqëruar me qindra njerëz u nis për në varreza.

Edhe pas më shumë se 24 orë nga vrasja e Aleksandër Ndokës, ende nuk ka asnjë autor të dyshuar apo motiv të krimit. Ndonëse në Lezhë u vendosën oficerët e krimeve të rënda të ardhur nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë, ngjarja ka mbetur enigmë. Aleksander Ndoka u vra me breshëri kallshnikovi orët e para të së shtunës në hyrje të shtëpisë. Atentatorët, duke përfituar nga errësira dhe mungesa e ndriçimit në rrugë, u larguan pa lënë gjurmë. Kurse trupi i viktimës u gjet i pajetë brenda në makinë nga familjarët e tij pak kohë pas ngjarjes./

abcnews.al