Maqedoni – Si pasojë e reshjeve të pandërprera të shiut, një pjesë e lumit Vardar ka dalë nga shtrati. Bëhet fjalë për pjesën e shëtitores pranë godinës së Qeverisë.

Kryetari i Shkupit, Petre Shilegov, tha se situata është nën kontroll dhe se janë marrë masat e nevojshme.

“Sot në mëngjes lumi Vardar ka dalë nga shtrati në pjesën afër qeverisë. Ekipet janë në terren, e ndjekin situatën dhe kanë marrë masa për t’u ndaluar rrjedha. Kjo është edhe një dëshmi tjetër se çfarë dëmi i është bërë qytetit dhe qytetarëve me projektin “Shkupi 2014”

, deklaroi Shilegov.

Në rajonin e Shkupit, reshjet që kanë filluar nga dje, kanë bërë që të rritet niveli i ujit në lumin Vardar. Në pamjet e filmuara nga ekipi i Alsat-M shihet rrjedha e rrëmbyeshme e ujit në shtratin e lumit. Ndërkohë reshjet e shiut kanë shkaktuar probleme edhe nëpër rrugët e disa lagjeve të kryeqytetit. Në Çair rrugët janë të mbushura me ujë dhe ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve.

/Alsat