Kryetari i bashkisë së Lezhës Fran Frrokaj dhe zyrtarët e tjerë të kësaj bashkie kanë mbërritur në Gjykatën e Lezhës mëngjesin e së hënës për seancën e rivlerësimit të masës së sigurisë.  

Frrokaj dhe 11 zyrtarët vendorë u arrestuan të premten nën akuzat për tjetërsim pronash.

Në pamjet e “ABC Neës” shihet edhe momenti kur Kryebashkiaku Frrokaj mbërrin në Gjykatë nën masa të rrepta sigurie, ndërsa jashtë Gjykatës ishin mbledhur qindra mbështetës të tij për të kërkuar lirimin. Arrestimin e Frrokajt, ata e cilësojnë politik dhe në lidhje me zgjedhjet e ardhshme lokale.

Hetimet që çuan në arrestimin e Kryebashkiakut të Lezhës dhe te 11 zyrtarëve nisën në vitin 2017 kur një qytetar, Pjeter Prela iu drejtua Prokurorisë së Përgjithshme me një kallëzim për tjetërsimin e sipërfaqes së tokës në Shëngjin, në vendin e quajtur ‘Rana e Hedhun’.

Prokuroria regjistroi procedimin penal në shtator të të njëjtit vit me akuzën e falsifikimit të dokumenteve, ndërsa në 16 shkurt 2018 ngriti akuzën për shpërdorim detyre ndaj zyrtarëve që ishin në hetim.

Sipas prokurorisë, të akuzuarit, me dokumente të falsifikuara kanë shndërruar sipërfaqe të mëdha tokë nga tokë shtetërore në tokë arë dhe pemtore dhe e kane regjistruar ne Hipotekë duke e përfituar padrejtësisht.  Për të njëjtën çështje, policia ka shpallur në kërkim 11 zyrtarë dhe persona të tjerë./tvklan.al