Për më shumë se 2 orë e 30 minuta Saimir Tahiri dëshmoi në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me dosjen “Habilaj”.

Ish-ministri u tregua i përpiktë me orarin, duke hyrën në organin e akuzës në orën 14. Të pranishëm në seancën e pyetjeve kanë qenë dhe dy avokatët mbrojtës Maksim Haxhia dhe Artan Hajdari.

Tahiri u mor në pyetje nga dy prokurorët Vladimir Mara dhe Dritan Prençi , të cilët po ndjekin këtë çështje.

Mësohet se ish-ministri ka dhënë sqarime në lidhje me disa episode në dosjen hetimore të prokurorisë së Katanias ku Moisi dhe Florian Habilaj përmendin emrin. Gjithashtu Tahiri ka sqaruar pozicionin e tij në shitjen e makinës Audi me traga AA003GB, vendodhja e së cilës nuk dihet ende. Për akuzat e trafikut të drogës në kuadër të grupit të strukturuar kriminal dhe korrupsionit Tahiri ka mbajtur qëndrim mohues duke sqaruar se nuk i njeh vëllezërit Habilaj dhe nuk ka pasur dijeni për aktivitetin kriminal që ata kryenin.

Në përfundim të marrjes në pyetje ish-ministri nuk dha detaje mbi dëshminë në Prokurori, por kërkoi që t’i jepet fund debatit politik mbi këtë çështje.

Pyetja e ish-ministrit vjen një ditë pasi prokuroria kontrolloi banesën e tij në përpjekje për të gjetur prova që implikojnë ata në dosjen “Habilaj”. Por nga ky kontroll oficeret nuk arritën të gjejnë asnjë të dhenë që lidh Tahirin me aktivitetin kriminal të vëllezërve Habilaj.

Tv Klan