Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat pranë Ministrisë së Brendshme ka nisur kërkimet për gjetjen e 3 ish-zyrtarëve të policisë pas nxjerrjes së urdhër-arresteve nga Gjykata e Krimeve të Rënda në lidhje me dosjen “Habilaj”.

Gazetari Spartak Koka, i ftuar në emisionin “Opinion”, ka deklaruar se SHÇBA është vënë në kërkim të tyre, por ende nuk ka mundur që t’i gjejë.

Kjo për shkak pasi në urdhrin e gjykatës nuk janë vendosur adresat e sakta, por vetëm qytetet.

“SHÇBA është vënë në lëvizje dhe po kërkohet për të tre. Por nuk po i kap dot. Ka një pasaktësi  në urdhrin e gjykatës, përsa i përket adresave ka vetëm qytetin për dy prej tyre dhe nuk ka adresat e sakta të specifikuara. Njëri rezulton me adresë zyrtare në qytetin e Sarandës, ndërsa shtetasi tjetër rezulton me adresë në Berat.

Jaeldi është parë rrugëve të Tiranës. Në rast se ata nuk kanë probleme me drejtësinë, pse ata mos të dorëzohen”,

deklaroi gazetari Koka.

Urdhrat e arrestit të lëshuar janë për ish-zyrtarët e policisë Jaeld Çela, Sokol Bode dhe Gjergj Kohilaj. 

Ndërkohë, drejtuesi i emisionit Blendi Fevziu bëri me dije një fakt tjetër, se para disa ditësh një deputete e Partisë Socialiste është thirrur për të dëshmuar për dosjen “Habilaj”.

/tvklan.al