Numri i personave që janë evakuuar nga Shtabet e Emergjencave Civile po arrin në 700. Në shumë zona të vendit, përveç forcave të policisë është dashur ndërhyrja e ushtrisë për të bërë nxjerrjen e banorëve jashtë shtëpive të tyre.  

Këto pamje nga ajri tregojnë fryrjen e Vjosës në afërsi të urës së Mifolit. Për të shpëtuar disa familje, Forcat e Armatosura kanë ndërhyrë me një helikopter.

Situata paraqitet e rënduar në zonat përgjatë lumit Vjosë, i cili ka disa orë që ka dalë nga shtrati duke mbuluar me ujë dhjetëra hektarë tokë dhe bagëti. Shtabi i Emergjencave në qarkun e Vlorës njoftoi se duhet të evakuohen edhe 3000 banorë të tjerë në 6 fshatra.

Këtë zonë e ka vizituar edhe Kryeministri Edi Rama.

Orët e pasdites kreu i qeverisë mblodhi Komitetin e Emergjencave Civile ku tha se situata më e vështirë paraqitet në jug të vendit. Sipas shifrave zyrtare 177 familje janë detyruar të evakuohen ndërsa 3300 banesa rezultojnë të dëmtuara. 128 mijë abonentë nuk furnizohen me energji elektrike dhe 23 shkolla kanë dalë jashtë funksionit.

Në Laç një ambulancë ka dalë nga rruga, e si pasojë ka humbur jetën një 42 – vjeçar. Situata e rënduar paraqitet edhe në Kurbin, ku dhjetëra bagëti janë mbytur. Fshati Gotull është izoluar si pasojë e shembjes së urës.

Evakuime ka patur edhe në Fushë – Krujë dhe Krujë një tjetër zonë e rrezikuar.

Ura e Drojës që lidh Mamurrasin me Thumanën dhe Fushë – Krujën u shemb.

Rruga nacionale Tiranën – Miloti u bllokua për disa orë.

Edhe në segmenti Tepelenë – Gjirokastër u bë i kalueshëm vetëm përpara dy orësh, ndërsa Tepelena rrezikon përmbytjet në disa zona për shkak të daljes nga shtrati të lumit Vjosë. 

Këto janë pamjet kur liqeni i Viroit ka dalë në rrugë duke bllokuar aksin kombëtar që lidh Gjirokastrën me Sarandën. Brenda në qytet, kalimi për këmbësorët dhe automjetet ka qënë i vështirë.  

Edhe në Sarandë lumi ka dalë nga shtrati duke shkaktuar përmbytje.

Në zonën e Kënetës në Durrës janë evakuar 4 familje. Banorë të tjerë janë larguar nga shtëpitë e tyre edhe në fshatin Derven, ku lumi Ishëm ka vërshuar në shtëpitë e tyre. Situta është e rënduar në rrugën Durrës – Plepa, por vështirësi ka edhe në brendësi të qytetit.

Lumi Shkumbi ka dalë nga shtrati duke përmbytur qindra hektarë tokë e sera në Librazhd dhe Elbasan.

Aksi rrugor Lurë –Rrëshen, është bllokuar. Një furgon me 10 pasagjerë nuk ka mundur të udhëtojë. Ata janë strehuar në fshatin Mërkurth.

Edhe në Shkodër janë evakuar 2 persona në fshatin Bardhaj, ndërsa një shkollë në Fushë – Arrëz është shembur pjesërisht për shkak të erës së fortë. E dëmtuar është edhe Qendra Shëndetësore të qytetit të Pukës.

I bllokuar është edhe aksi Shkodër – Theth, ndërsa segmenit Shkodër – Breg Lumi, është i kalueshëm me zinxhirë.

Edhe në Dibër rrezikohen nga përmbytjet disa banesa dhe aktivitete biznesi.

Reshjet intensive të shiut kanë mbuluar shumicën e territorit të Shqipërisë, e bashkë me motin e keq, situata e emergjencës ka përfshirë pjesën më të madhe të hartës së vendit, siç duket në këtë grafik të publikuar nga Kryeministri.

Tv Klan