Mediat italiane kanë publikuar të dielën pamjet e operacionit ku u kapën 2.2 ton marijuanë, vlera e së cilës shkonte në mbi 20 milionë euro.

Skafi u kap nga autoritetet të premten, në ujërat italiane të Garganos (Apulia). Në bordin e tij ndodheshin 2 shqiptarë nga qyteti i Vlorës, të identifikuar si B.B 42 vjeç dhe J.H 31 vjeç, të cilët u arrestuan për trafik ndërkombëtar të lëndëve narkotike.

Në pamjet më lart shihet pikërisht momenti kur 2 skafistët kanë dalluar që janë duke u ndjekur nga autoritetet dhe pasi i japin shpejtësi skafit me të cilin udhëtonin, nisin të hedhin në det ngarkesën me drogë.

Mediat italiane shkruajnë se ajo ishte e ndarë në 110 pako me madhësi të ndryshme, me një peshë totale prej 2.261,50 kilogramësh. Nëse kjo sasi do të ishte hedhur në treg, do të kishte kapur vlerën e më shumë se 20 milionë eurove.

Skafi 9 metra i gjatë, me 3 motorë të fuqishëm u kap pas një ndjekje të gjatë në det në një operacion të përbashkët mes policisë italiane, asaj shqiptare, policisë së Malit të Zi dhe Frontex./tvklan.al