“Nuk keni parë gjë akoma

“, dhe

“bëni durim”

kanë qenë fjalët me të cilat Saimir Tahiri iu drejtua gazetarëve e simpatizantëve që e prisnin jashtë kryesisë së Kuvendit.

Duke folur pas vendimit të marrë nga kryetari i Këshillit të Mandateve dhe Imunitetit, Gramoz Ruçi për të shtyrë seancën ku do të vendoset për kërkesën e Prokurorisë, për heqjen e imunitetit të Tahirit me qëllim arrestimin e tij, ish – ministri tha se e vërteta do të dalë shumë shpejt.

“Unë besoj se jeni të gjithë të qartë, sepse ishit atje bashkë me mua dhe dëgjuat edhe vetë me veshët tuaj, historinë aty. Unë vetë e quaj estradë, megjithatë le të presim dhe unë vetë jam i gatshëm të pres dhe do të presim deri në momentin e  fundit, kurdo qoftë momenti i fundit. Pa lënë asnjë hallkë, dhe pa lënë asnjë shteg për të bërë drejtësi deri në fund. Unë jua thashë që nuk keni parë gjë akoma. Dhe kur iu thashë që nuk keni parë gjë akoma, iu duk si një mënyrë e mirë për të bërë çdolloj historie. Po jua them prap: nuk keni parë gjë akoma. Bëni durim siç po bëj unë, më besoni unë e kam më të madhe se ju barrën, por bëni durim. E vërteta do të dalë në dritë dhe nuk do të vonojë shumë. Unë nuk do të le rast pa i shkuar deri në fund kësaj historie dhe zbardhur të vërtetën. Unë do të jem i kënaqur kur e vërteta të dalë në sytë e shqiptarëve dhe të bindet kushdo për të gjithë historinë që ka ndodhur. “

I pyetur nëse ishte i pranishëm kur prokuroria paraqiti provat kundër tij, në mbledhjen e zhvilluar pa praninë e medias, Tahiri u përgjigj jo, pasi këtë nuk e lejon procedura. 

/tvklan.al