Lëkundjet e forta të tërmetit mbrëmjen e së enjtes kanë shkaktuar panik të madh tek banorët e zonave bregdetare turke, mes të cilëve edhe shumë personazhe të famshëm.

Këngëtari i njohur turk, Ido Tatlises po festonte ditëlindjen e së ëmës Derya Tuna, në Bodrum të Turqisë kur u ndjenë lëkundjet e mëdha të tërmetit 6.7 ballësh.

Derya Tuna, ish-bashkëshortja e një prej këngëtarëve më të famshëm turq, Ibrahim Tatlises, po u frynte qirinjve kur u ndjenë lëkundjet e forta.

Në sfond ndërkohë duket drita e shkaktuar nga një shpërthim. Sipas medias turke në momentet e tërmetit kanë shpërthyer me dhjetëra transformatorë në zonën ku u ndjenë lëkundjet.

Pas sekonda pas lëkundjeve duket që rritet niveli i detit dhe uji arrin në këmbët e të gjithë familjarëve të mbledhur për të festuar ditëlindjen.  

Ndërkohë, edhe Hadisja, një prej këngëtareve më të suksesshme të momentit në Turqi, ka qenë e angazhuar me koncert në zonën e Bodrumit dhe nga frika e lëkundjeve ka fjetur në rrugë.

Një foto e këngëtares duke fjetur jashtë është publikuar nga motra e saj, Hulya Açıkgoz.

“ U frikësuam shumë, urojmë të mos ketë viktima, ishte një natë e tmerrshme”,

shkroi ajo.  

Fotoja u ripostua edhe nga vetë Hadisja, e cila kujtoi se nuk e shpjegonte dot se si kishin dalë nga shtëpia nga paniku.

“Kur e kujtoj më dridhet trupi sërish”

, tha ajo.  

Tërmeti i fortë, 6.7 ballë e kishte epiqendrën 12 km në veri-lindje të ishullit grek të Kos-it, afër brigjeve turke. Sipas Shërbimit Gjeologjik Amerikan, tërmeti goditi në një thellësi prej 10 kilometrash.

Dy turistë, njëri turk dhe tjetri suedez, humbën jetën nga tërmeti në ishullin grek të Kos-it, ndërsa mbi 100 të tjerë janë plagosur.

Tërmeti shkaktoi edhe një valë cunami, që përmbyti resortet turistike në detin Mesdhe dhe Egje.

Nuk dihet ende se sa ishte lartësia e dallgëve të cunamit që shkaktoi tërmeti i fuqishëm në Mesdhe, por uji ka dalë në breg duke përmbytur disa lagje resortesh, fundosur varka dhe zhvendosur dhjetëra makina./tvklan.al