Çifti i bashkëshortëve, të cilët paraditen e kësaj të premteje u gjetën të asfiksuar nga gazi në shtëpinë e tyre, mund të kenë gjetur vdekjen që prej ditës së enjte.

Dyshimet lindin pasi një prej fqinjëve të tyre tregon se ata nuk e kishin hapur derën pasi mbesa u kishte trokitur gjatë pasdites të së enjtes. Rrok dhe Prena Tataj, 60 dhe 56 vjeç jetonin sëbashku me mbesën e tyre në lagjen “Pavarësia” të Vlorës.

Rreth orës 16:00 të së enjtes, vajza kishte shkuar tek shtëpia e një fqinje, e pasi kishte qëndruar aty për pak kohë, ishte kthyer në shtëpi. Ajo kishte trokituar në derë, por askush nuk ishte përgjigjur.

“Mbesa erdhi nga ora 3 e gjysmë 4, nuk e di me saktësi. Erdhi më tha ke qumësht dhe a të rri të loz me Marjanën? Rri i thashë, loz njëçik. Pastaj iku mbesa, e mora unë këtë i dhashë qumështin edhe pak bukë dhe e nisa për në shtëpi. Vajti trokiti, s’kishte njeri, e mora prap në shtëpi. Mendova nuk janë në shtëpi dhe do vinte ta merrte e ëma… As në mëngjes nuk erdhi. U interesova, vajta te puna e saj, nuk e gjetëm na vajti mendja për keq. Pastaj morëm policinë”.

Kështu rrëfeu për mikrofonin e ABC News, fqinja e cila e mbajti mbesën e çiftit në shtëpinë e saj dhe ishte personi që njoftoi policinë pasi dyshoi se diçka nuk shkonte.

Rrok dhe Prena Tataj u gjetën të pajetë rreth orës 11:15 të së premtes dhe sipas policisë ata gjetën vdekjen nga asfiksia, pasi në shtëpi kishte pasur rrjedhje gazi. Nuk dihet nëse kjo ngjarje është aksidentale, megjithatë autoritetet kanë nisur hetimet.

E paqartë mbetet edhe ora kur kanë ndërruar jetë çifti Tataj dhe për këtë pritet rezultati i ekspertizës mjeko-ligjore.

/tvklan.al