Dhjetëra gra deputete janë grindur ashpër me njëra tjetrën në Parlamentin Turk të enjten duke dhuruar pamje të pazakonta.

Gjithçka filloi pasi një deputete prangosi veten duke u lidhur me mikrofonin e podiumit, në shenjë proteste ndaj ndryshimeve kushtetuese që i japin më shumë pushtet Presidentit Recep Tayyip Erdogan.

Deputetja e pavarur, përfaqësuese e elektoratit të Ankarasë, Aylin Nazliaka, me gjestin e saj shfaqi protestën kundër ndryshimeve kushtetuese që e kthejnë Turqinë nga një republikë parlamentare në republikë presidenciale.

Ajo refuzoi të largohej nga podiumi pavarësisht pushimeve të përsëritura të dhëna nga zv/kryetarja e Parlamentit, Aysenur Bahcekapali.

Deputete nga partia në pushtet AKP dhe koleget e tyre opozitare u afruan tek podiumi, disa për ta hequr Nazliakan që aty, disa për ta mbrojtur.

Në sallë u rrit tensioni dhe filloi grindja mes kolegeve deputete. Në foto shikohen deputetet teksa sulmojnë dhe tërheqin nga flokët njëra tjetrën.

Deputetja opozitare Safak Pavey, e cila ka proteza në dorë dhe në këmbë, u rrëzua gjatë grindjeve.

Ajo tha për median se “deputetja e AKP-së Gokcen Ozdogan Enc deshi të më qëllonte. Në mes u fut deputetja e HDP-së (parti kurde) Burcu Celik Ozkan, të cilën e tërhoqën nga flokët. Enc më shtyu mua dhe u rrëzova për tokë.”

Për më tepër ajo tha se gjithçka mund të shikohet nga pamjet filmike dhe fotot e publikuara nga media.

Ditë më parë, parlamenti turk është kthyer në “ring” përleshjesh mes deputetëve burra, teksa po diskutoheshin dhe votoheshin ndryshimet kushtetuese.

Deputetë të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP), e cila ndodhet në pushtet që prej vitit 2002, dhe deputetët e Partisë Republikane Popullore (CHP), gjuajtën me grushte njëri-tjetrin, teksa në ajër “fluturuan” edhe karrige, vazo lulesh etj.

Foltorja e parlamentit u dëmtua gjatë grindjeve. Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan, i cili më parë ka drejtuar vendin si kryeministër nga viti 2003 deri në vitin 2014, kërkon ta kthejë Turqinë nga Republikë Parlamentare në Republikë Presidenciale.

Por, partia opozitare CHP këmbëngul kundër ndryshimeve me pretendimet se vendi kthehet në diktaturë dhe ka paralajmëruar se ndryshime të tilla nuk do kryhen pa gjakderdhje./ tvklan.al

[ngg_images source=”galleries” container_ids=”120″ ajax_pagination=”1″ order_by=”sortorder” order_direction=”ASC” returns=”included” maximum_entity_count=”500″ display_type=”photocrati-nextgen_basic_imagebrowser”]