Dy të rinj janë arrestuar në flagrancë pasi u kapën me 44 kg drogë dhe me dy armë zjarri.

Në kuadër të operacionit antidrogë të koduar “Luzi”, Policia e Durrësit arrestoi 33-vjeçarin Lek Biba dhe 23-vjeçarin Jurgen Tufa, të dy banues në Luz, Fushë-Krujë.

Të rinjtë u vunë në pranga të mërkurën pasi gjatë kontrollit në makinën e Tufës, u gjetën rreth 44 kg lëndë narkotike e dyshuar e Cannabis Sativa dhe dy armë zjarri pistoletë, me mbishkrimin “Ecol Special 99”, kalibri 9 mm me krehër dhe fishekë.

Në kërkim si i lidhur me aktivitetin kriminal është shpallur ndërkohë edhe 32-vjeçari me iniciale F.B.

Ata do të përballen në gjykatë me akuzat për “Prodhim dhe shitje e narkotikëve” në bashkëpunim  dhe ” Prodhim dhe mbajtje pa leje e armëve luftarake dhe e municionit”./tvklan.al