Një person mbeti i vrarë me armë zjarri mbrëmjen e së martës para banesës së tij në zonën e Kinostudios në Tiranë. Ngjarja ndodhi rreth orës 20:25, në rrethana ende të paqarta. 

Viktima është një 28-vjeçar i identifikuar si Mario Majollari, ndërsa autorët e kësaj ngjarjeje nuk dihen ende. Dyshimet janë se i riu u ekzekutua me armë me silenciator, pasi dëshmitarë thanë se nuk kishin dëgjuar zhurma.

Ai kishte pak kohë që ishte kthyer nga Suedia, ku kishte shkuar në vitin 2015 për të kërkuar azil, pasi sipas pretendimit të tij, ishte i kërcënuar për hakmarrje.

Dyshimet paraprake të policisë janë se pas ekzekutimit të Mario Majollarit qëndrojnë motivet e hakmarrjes. Kjo pasi babai i tij, Avni Majollari është një person i dënuar me burgim të përjetshëm për vrasje të dyfishtë. Pas një konflikti në vitin 2000, i ati i viktimës vrau me armë zjarri Armando Nelaj dhe Ilir Gjuzin, ngjarje e ndodhur në segmentin rrugor Tiranë–Dajt.

Pavarësisht pistës kryesore së vrasjes së 28-vjeçarit, atë të hakmarrjes, policia në këtë fazë paraprake të hetimit nuk përjashton edhe pista të tjera. 

Për

tvklan.al,

i ndodhur në vendin e ngjarjes, gazetari Spartak Koka zbulon detaje rreth saj.

Menjëherë pas ngjarjes së rëndë policia rrethoi zonën, si dhe shoqëroi disa persona, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.

Mario Majollari

Mario Majollari

Mario Majollari

Njoftimi paraprak i policisë:

Rreth orës 20.25 në një rrugice që lidhet me rrugën “Aleksandër Moisiu” është vrarë me armë zjarri, dyshohet pistoletë, shtetasi M.M, 28 vjeç.

Grupi hetimor ka mbërritur brenda pak minutash në vendngjarje dhe po sekuestron e grumbullon çdo provë për të identifikuar dhe përballur me drejtësinë autorët e krimit.

Forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli në zonë, si dhe në të gjitha rrugët lidhëse me vendin e ngjarjes.

Për hetimin e saj është ngritur një grup i posaçëm hetimor me specialiste te Drejtorisë Vendore të Policisë Tiranë.

Policia ka shoqëruar e po vijon shoqërimin e disa shtetasve që mund të ndihmojnë me dëshmitë e tyre për zbardhjen e rrethanave të vrasjes.

/tvklan.al