Kushdo që përdor internetin, por jo vetëm, mund ta ketë vënë re se kohët e fundit, një lojë e quajtur Pokémon Go po çmend botën. Për të gjithë ata që ende nuk e kanë marrë vesh se për çfarë bëhet fjalë, po jua shpjegojmë më poshtë.

Pokemon është një lojë e Nintendos, prezantuar për herë të parë 1990 –ën. Në këtë botë virtuale, “trajnuesit” udhëtojnë nëpër botë për të kapur monstra të quajtur Pokemon, (minj, dragonj, krijesa të ndryshme, etj) dhe i përdorin më pas për të luftuar me njëri – tjetrin. Qëllimi i atij që luan është që t’i kapë të gjitha krijesat dhe të bëhet një mjeshtër i Pokemon, duke mundur trajnuesit e tjerë.

pokemon

Çfarë është Pokémon Go?

Ndryshe nga lojërat e mëparshme, nuk luhet në Nintendo (console), por mund të shkarkohet në çdo pajisje Android dhe iOS. Gjithashtu, nuk ka të njëjtën logjikë loje si Pokemonët e mëparshëm. Ndonëse qëllimi është sërish për të kapur të gjithë monstrat, Pokémon Go është një lojë që është e lidhur fort më botën reale, duke miksuar elementë të botës ku jetojmë me lojën.

Pokémon Go përdor GPS dhe orën e telefonit. Nëse për shembull ndodheni në park, në lojë do të shfaqen më shumë krijesa, insekte të ndryshme që gjenden në këtë ambient. Nëse ndodheni pranë një liqeni do të shfaqen më shumë krijesa uji. Nëse është natë do të shfaqen krijesa të natës, si fantazma apo zana. Kështu, nuk është vetëm loja në vetvete që vjen në telefonin tuaj, por jeni pikërisht ju që duhet të lëvizni në botën reale për të kapur Pokemonët.

Në Pokémon Go keni gjithashtu mundësinë të luftoni edhe me të tjerët.

Loja sapo ka dalë dhe në më pak se 48 orë pushtoi Amerikën. Ajo është pa pagesë, diçka e re dhe tepër interesante./tvklan.al