4 adoleshentë, të moshës 15 deri 17 – vjeç janë vënë në pranga nga Policia e Tiranës.

Ata akuzohen për të paktën 5 vjedhje të ndodhura në kohë të ndryshme në kryeqytet, që policia ka arritur t’i vërtetojë ligjërisht.

Një ndër rastet është grabitja e një supermarketi në rrugën “5 Maji”, e ndodhur më 10 Shkurt të këtij vitit, ku dy persona të maskuar e të armatosur arritën të merrnin një shumë parash. Një tjetër rast i zbardhur tashmë është edhe ai i grabitjes të një dyqani interneti, në rrugën “Bardhyl”, ashtu sikurse grabitja e një farmacie, rast në të cilin

 tvklan.al

solli videon nga kamerat e sigurisë. 

Të arrestuarit janë Enton F, 16 – vjeç, Aldo D, 17 – vjeç, Reald N, 15 – vjeç, Kristi D, 16 – vjeç, të gjithë banues në Tiranë.

Si funksiononte kjo bandë?

Adoleshentët i kryenin vjedhjet në bashkëpunim me njëri – tjetrin. Pasi pikasnin ambientin që do të vidhnin, e studionin atë dhe më pas bënin vjedhjen.

Si mjet për lëvizje, ata përdornin biçikleta, ndërsa për të mos u identifikuar përdornin kapuça për biçikleta dhe doreza.

Për mjet shtrëngimi ose presioni përdoreshin dy pistoleta,

të cilat nuk i plotësojnë kushtet e armës së zjarrit.

Policia i ka gjetur adoleshentëve disa nga veshjet e përdorura gjatë vjedhjeve si dy palë doreza plastike, një kapuç me ngjyrë të zezë, një kapuç me ngjyrë gri, dy biçikleta me mbishkrimet “Merida” dhe “Caryfisher” dhe dy pistoleta, një me mbishkrimin “Beretta” dhe një me mbishkrimin “Ekol”.

5 vjedhjet e kryera nga adoleshentët:

16 Dhjetor 2016: Në kryqëzimin e rrugës “Bardhyl”, me rrugën “Kongresi i Manastirit”, në një dyqan shërbimi për internet, i kanë marrë një shumë monetare dhe një aparat celular, personit me shtetasit E. R.

10 Janar 2017: Në rrugën “Siri Kodra”, në një farmaci, i kanë marrë një shumë monetare, shtetases E. L.

10 Shkurt 2017: Në rrugën “5 Maji”, në një supermarket, në pronësi të I. S, kanë marrë një shumë monetare.

18 Shkurt 2017: Në rrugën “Njazi Meka”, në një supermarket, i kanë marrë një shumë monetare, shtetases K. Gj.

24 Shkurt 2017: Në Rrugën “Kongresi i Manastirit”, në një dyqan shërbimi për internet, i kanë marrë një shumë monetare dhe një aparat celular, shtetases M. K. 

*Bashkangjitur gjeni të gjitha grabitjet e kryera nga ky grup, të pasqyruara në kohën kur kanë ndodhur.

 /tvklan.al