Policia e Tiranës ka arrestuar dy të rinj, të cilët ditën e sotme u bënë protagonistë të një ngjarje të pazakontë.

Dy adoleshentët 17 – vjeçar nga Tirana, Rubin Mema dhe M. Xh, ndodheshin të ulur në një lokal në rrugën “Xhorxh W Bush”, kur arma pa leje që kishte njëri prej tyre, një pistoletë “TT” u shkrep dhe për pasojë, Mema mbeti i plagosur në këmbë.

Pas kësaj ngjarje shoku i tij u largua nga tavolina bashkë me armën.

I plagosuri u dërgua në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, ndërsa M.Xh u shpall në kërkim. Pak orë më vonë policia bëri të mundur arrestimin e dy të rinjve.

Njoftimi i plotë i policisë:

Më datë 16.09.2016, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve :

• R.M,17 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë.

•M. Xh, 17 vjeç, lindur dhe banues Tiranë.

Arrestimi i këtyre shtetasve u bë pasi sot në datë 16.09.2016, rreth ores 12.30 në ambjentet e brendshme të një lokali në rrugën “Xhorxh W Bush”, shtetasit R.M dhe M. Xh kanë qënë të ulur në katin e tretë në një tavolinë të këtij lokali dhe për një moment shtetasi R.M ka hapur çantën e tij personale, ku brenda të cilës kishte një pistoletë të llojit “TT”, të cilën e mbante pa lejen e organeve kompetente dhe nga pakujdesia si pasojë e një shkrepje tē pa vullnetshme është vetplagosur në këmbën e majtë, pa rrezik për jetën.

Ndërkohë shoku i tij me të cilin ishte në tavolinë shtetasi M. Xh, ka marrë armën dhe është larguar.

Nga ana e sherbimeve të policisë është bërë e mundur kapja e shtetasit M. Xh, si dhe sekuestrimi në cilesinë e provës materiale i pistoletës tip “TT”.

Materialet i kalojnë për ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprën penale “Prodhim dhe mbajtje të armëve luftarake dhe municionit”, parashikuar nga neni 278 i K.Penal për shtetasin R.M dhe për veprat penale “Moskallezim krimi” dhe “ Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”, parashikuar nga neni 300 dhe 301 të Kodit Penal për shtetasin M. XH.

/tvklan.al