Në përpjekje të arritjes së një konsensusi mes maxhorancës e opozitës për Reformën në Drejtësi, Ambasadori amerikan Donald Lu u shfaq sërish në selinë e Partisë Demokratike.

Për afro një orë, Lu dhe Basha kanë biseduar “kokë më kokë” mbi zhvillimet e fundit përsa i përket reformës. Nga dy selitë nuk jepen detaje mbi përmbajtjen e bisedimeve.

Takimi vjen në një kohë kur opozita vazhdon t’i qëndrojë variantit për vendet e rezervuara, si i vetmi që sipas saj, shmang kapjen e sistemit të drejtësisë nga politika.

Kryeministri Rama nga ana tjetër ka bërë të qartë se mund të negociohet për Këshillin e Lartë të Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë, por jo për komisionet e kontrollit të figurës së gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke thënë se kjo është një vije e kuqe e përcaktuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian.

Ambasadori amerikan dhe ambasadorja e Bashkimit Europian kanë zhvilluar këto ditë takime edhe me Kryeministrin Rama dhe Kryetarin e Kuvendit, Meta, në përpjekje që reforma të miratohet me konsensus.

Kryeministri ka bërë të ditur se është i hapur për të negociuar me opozitën, ndërsa Lëvizja Socialiste për Integrim është shprehur se Shqipëria nuk e ka luksin ta miratojë reformën pa konsensus.

Drafti i reformës është miratuar nen për nen dhe në tërësi në Komisionin e Posaçëm duke iu nënshtruar procedurave për ta dërguar në parlament. Mazhoranca ka lënë të hapur mundësinë e rishikimit të neneve që kundërshtohen nga opozita.

Tv Klan