Emisioni “STOP” ka siguruar vendimin e prokurorit Ndini Tavani, që pushoi hetimet ndaj mjekut të sanatoriumit, Fatmir Çaushi. Ky i fundit shfaqej në kamerën e fshehtë të emisionit “STOP”, të datës 1 Marsit, duke marrë 600 mijë lekë nga një i afërm i një pacienti. Në argumentim thuhet se asnjë nga të afërmit e pacientit nuk pranon të ketë dhënë para. Po kështu mjeku pretendon se bëhet fjalë për montim. Kaq ka mjaftuar që përfaqësuesi i akuzës të pushojë çështjen.

Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, me prokuror Ndini Tavanin, ka pushuar procedimin penal ndaj Fatmir Çaushit, shefit të kirurgjisë torakale në Spitalin Universitar “Shefqet Ndroqi”, i njohur ndryshe si Sanatoriumi, i cili mori nga të afërmit e një pacienti plot 600 mijë lekë të vjetra, për një ndërhyrje.

Sipas prokurorisë, nga hetimet ka rezultuar që familjarët e pacientit Luan Kajo nuk kanë biseduar për asnjë rast për të propozuar, premtuar apo dhënë para dhe se shtetasi Fatmir Çaushi nuk rezulton të ketë kërkuar, marrë apo pranuar para në këmbim të kryerjes së detyrës së mjekut gjatë angazhimit të tij në trajtimin e pacientit. Ndaj, në bazë të nenit 328 dhe 34/4 të Koditë të Procedurës Penale, prokurori Tavani vendosi pushimin e procedimit penal dhe ky vendi mud të ankimohet në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë.

Por personi që i ka dhënë paratë mjekut Çaushi është gazetarja investigative e emisionit “STOP”, e cila pretendoi se ishte e afërmja e pacientit, në mënyrë që të sillte me zë dhe figurë korrupsionin e bluzave të bardha dhe për këtë gjë është vënë në dijeni OPGJ. Gazetarja nuk është marrë në pyetje, ndaj çështja nuk mund të pushohet me justifikikim se asnjë nga të afërmit nuk i ka dhënë para mjekut dhe me dëshminë e vetë mjekut, i cili shprehet se kamera e fshehtë është një montim, pasi nuk i kujtohet të ketë ndodhur një  situatë e tillë.

Gazetari – Në këtë rast, pyetja që lind natyrshëm është: Nëse mjeku që mori 600 mijë lekë u shpall i pafajshëm, sa i ka kushtuar kjo pafajësi prokurorit Ndini?

“Montimi” që Fatmir Çaushi pretendon se është kryer nga kamera e fshehtë e “STOP”, e cila ka faktuar me zë dhe figurë korrupsionin e  tij.

Qytetari – Domethënë në syrin tënd është në rregull?

Doktori

Për syrin tim është mirë. Shpresojmë që realisht të zgjidhet mos të kemi probleme, pa vajtur tek Kirurgjia. Atëherë tek kjo farmacia që duket këtu poshtë nga ballkoni, merri këto ilaçet e jepja atij që t’i filloj. Mirë?

Qytetari – Tani, për ato (lekët) si e lamë dje tani?

Doktori

Këtu përjashta! Merre atë recetën!

 

Si ta kesh ti terezinë tënde, mua më dëgjove njëherë ta thashë.

Qytetari – Si? Aq sa e lamë?

Doktori

Po. S’është nevoja të bësh atë punë.

Qytetari – E kuptoj, duhet të jesh dhe ti në rregull.

Doktori

Rrofsh, faleminderit! Më vjen keq!

Qytetarja – Më fal! Ju jeni doktor Fatmiri?

Doktori

Po.

Qytetarja – Nusja e X… jam.

Doktori

Ëëë po. Të sollën kastile.

Qytetarja – Jo, s’ka problem. Ideja është që unë do doja të të pyesja si do të vazhdojë gjendja? Do kemi më kështu (probleme)? Kur ta sjellim për kontroll?

Doktori

Po, i thashë që për dy javë do të vijë për rikontroll. Të marri atë mjekimin që i kam dhënë. Ato penjtë hiqen dy javë nga dita e operacionit. Ato janë të vogla me një ankerplas.

Qytetarja – Se ngaqë u bë dy herë operacion dhe…

Doktori

S’ka gjë! S’është bërë dy herë operacion. E ke marrë vesh gabim.

Qytetarja – Po herën e parë që bëri një tub, çfarë ishte?

Doktori

Herën e parë ishte një tjetër gjë dhe tani s’i kthehemi dot më asaj historie se jam lodhur.

Qytetarja – Po, s’ke faj!

Doktori – Jo! E kam thënë dhe çudi si s’ta ka thënë burri. Nuk është bërë e njëjta gjë.

Qytetarja – Gjithmonë ata me atë…

Doktori – Jo! Besoj që ai e di tani. Nëqoftëse nuk e di, më vjen keq pastaj. Unë ia kam shpjeguar. Hera e parë nuk ka qenë operacion, ka qenë vendosje drene dhe ishte zgjidhja për herë të parë është këtu në këtë mënyrë.

Qytetarja – Këtu ke 300 (mijë lekë të vjetra)

Doktori – Të lutem! Rrofsh, faleminderit!

Qytetarja – Siç ke folur me burrin. Dhe 300 – shen e parë. Gjithë të mirat! Mirë u takofshim!

Doktori

S’ke ndonjë kamera kështu duke i filmuar?

Qytetarja – Ua?! Çfarë është kjo?! Gjithë të mirat! Faleminderit!

Emisioni “STOP” do të vazhdojë të risjellë çështjen e Fatmir Çaushit, derisa të vendoset drejtësia./ tvklan.al