Pas transmetimit në emisionin “STOP” të rastit të ish – postierit në Llixha të Elbasanit, që u zhduk me paratë e pensioneve, mbërrin një tjetër denoncim. Pranvera Qyrja dhe bashkëshorti i saj kanë statusin e paraplegjikut, por të dy janë viktima të aktit të Çim Paprrit. Pranvera thotë se Paprri endet i lirë në Elbasan, madje edhe duke u angazhuar në fushatë elektorale. Por në postën e Elbasanit drejtoresha Klaudia Krasnika është shkarkuar dhe zëvendësuar me një tjetër, e cila nuk ka informacionin e nevojshëm.

 

Më datë 14 Qershor 2017 emisioni “STOP” transmetoi rastin e ish – punonjësit të postës që ka falsifikuar firmat e banorëve të Llixhës për t’u marrë lekët e asistencave dhe pensioneve. Çim Paprri ka vjedhur rreth 40 milionë lekë dhe është zhdukur, duke i lënë banorët në mëshirë të fatit, pasi asnjë institucion nuk mban përgjegjësi për këtë vjedhje.

Qytetarja 1

Gazetarja – Ne na ka ardhur një denoncim për një rast të një postieri, që ka pas shpërndarë këto asistencat dhe pensionet dhe që është zhdukur këtu në zonën e llixhave. Eshtë zhdukur, e ke dëgjuar?

Qytetarja –

Çimi me, ky çuni jonë këtu? Po ça t’i bëjmë ne? Na i mori e iku.

 

Qytetari 2

Gazetarja – A e ke dëgjuar ndonjëherë këtë rastin e këtij postierit  që ka shpërndarë më përpara asistencat dhe pensionet dhe është zhdukur?

Qytetari

Po!

Është e vërtetë, që ai i ka prishur të gjitha lekët, i ka bë spektakël.

Qytetarja 3

Gazetarja – Për këtë pjesën e këtij të postës që ka marrë lekët dhe ka ikur. Si është e vërteta? Ju merrni ndonjë pension, ndonjë asistencë?

Qytetarja

I marrim. Marr një pension dhe çuni një përkrahje 40 mijë lekë, 39 mijë lekë … Ato thonë: ça është hedh firma, edhe këto të rejat që kanë ardhur thonë nuk merren më. Po ka hedh fimën vetë ky, mi zonjë.

Gazetarja – Për të gjithë njerëzit e ka hedh?

Qytetarja

Po, për të gjithë.

Gazetarja – Ka falsifikuar firmën?

Qytetarja

Po moj, të gjitha. Ça flet?

Gazetarja – Sa lekë ka marrë, di gjë?

Qytetarja

Mirë, mirë! Po siç kemi dëgju, mi motër, 40 e ca milionë. 

Gazetarja – 40 e ca milionë?!

Qytetarja

Pse mi, vetëm unë jam?!

Pranvera Qyrja i drejtohet emisionit “STOP” për të denoncuar sërish ish – postierin që i ka vjedhur asistencën asaj dhe bashkëshortit të saj, të cilët janë me statusin e paraplegjikut,

“Deri para pak ditësh kisha shpresë sepse vetë personi më kishte thënë që ato para do t’i marrësh, por mos bëj denoncim, mos deklaro që s’i ke marrë. Me mirëkuptim i lashë pak kohë. Më tha mos deklaro sepse nëse deklaroni dhe ju atëherë unë marr fund.

Gazetarja – Keni patur kontakt me Çim Paprrin? Para sa kohësh?

“Atë ditë që ndodhi, para 10 ditësh. Edhe më thotë që aman se jam vërtetë në hall, ato lekë nuk i kam, por do t’i merrni. Juve ju njoh, kam respekt për ju, ose do jua dërgoj te prindërit sepse ata jetojnë atje ose më lini një numër llogarie. Para një jave i bie telefonit, e ka të fikur, nuk më përgjigjet.”

Pranvera shprehet se nuk e ka denoncuar Paprrin në polici, pasi jeton në Tiranë dhe nuk ka mundësi për shkak të kushteve të saj. Ajo tregon se bashkëjeton me një person paraplegjik në një shtëpi me qera dhe se kanë nevojë për ato para, të vlerës 40000 mijë lekë të reja, sepse janë të vetmet të ardhura që kanë.

“Thuhet që personi në fjalë është i lirë, në Elbasan dhe se ndoshta është edhe nëpër këto fushatat elektorale sepse mbështet partinë që e punësoi. Ka shpresë për një punë pas zgjedhjeve, siç ndodh rëndom.”

Gazetarja e emisionit “STOP” i është drejtuar Postës Shqiptare në Elbasan për të komunikuar me drejtoreshën.

Gazetarja – Si jeni, si kaluat? Mirë? Aty është drejtoresha?

Punonjësja

As drejtoresha, ka ikur në Tiranë në mbledhje, as shefja e burimeve njerëzore nuk është, shkoi te arka 1 për kontroll.

Gazetarja – E sigurt që drejtoresha ëshët në Tiranë? Se herën e kaluar më the nuk është edhe ishte në zyrë drejtoresha.

Punonjësja

Është e re, iku ajo.

Gazetarja – Iku ajo? Pse iku?

Punonjësja

Ka dy ditë që është vënë një e re. Është drejtoreshë e re prandaj thashë unë.

Gazetarja – Si e ka emrin kjo e reja?

Punonjësja

Elvira Gjyra. Ka dy ditë që ka ardhur.

Para pak kohësh emisioni “STOP” ka komunikuar me drejtoreshën e Postës Shqiptare në Elbasan, Klaudia Krasnika, por tanimë ajo është shkarkuar dhe është zëvendësuar me Elvira Gjyran, e cila nuk ka informacionin e nevojshëm. Gazetares iu tha se duhet t’i drejtohet Drejtorisë së Postës Shqiptare në Tiranë për të denoncuar rastin dhe më pas ajo do ta depozitojë në filialin e Elbasanit, nga ku mund të marri një përgjigje nëse do t’i marrin lekët e vjedhura banorët e Llixhës dhe për sa kohë do të vazhdojë të endet e lirë Çim Paprri e për më tepër duke bërë fushatë./ tvklan.al