Publikohen mesazhet e një ish -të dënuari politik në burgun e Spaçit, që denoncojnë Visar Zhitin, të dërguarin me punë të Shqipërisë në ambasadën e Vatikanit, si spiun në këtë burg.

Mesazhet janë të një qytetari të besimit katolik që jeton sot në një zonë të veriut të vendit, me inicialet P.V., i cili ia ka dërguar ato presidentit Nishani.

Në një pjesë të tyre, të siguruar nga Tv Klan, thuhet se Zhiti ka qenë spiun i administratës së burgut famëkeq të Spaçit dhe nga bashkëpunimi i tij janë ri-dënuar të dënuar politikë të regjimit komunist.

 Mesazhi i P.V.: “Zoti President, në raste të tilla kur ju duhet të emëroni një pesonalitet si z. Zhiti në ambasadën e Vatikanit, a do të ishte më e udhës që të mësohej më parë se kush është Visar Zhiti nëpërmjet dosjes personale të tij, i cili do të rezultonte një spiun i pastër burgjesh, të cilin na e paraqesin si figurë të pastër individë të ndryshëm, që do kenë fytyrën e tij. Visar Zhiti, në vitet 82- 83 ka qenë në administratën e burgut të Spacit, ku ai me bashkëpunëtorët e tij përgatisnin ri-arrestimin e bashkëvuajtësve të tyre. Kaq të ishte verifikuar, nuk do të kishte ndodhur ky kalvar diskutimesh për një person të padenjë për t’u marrë një shtet i tërë me të.”

Pas bërjes publik të këtij fakti, Visar Zhiti dhe bashkëpunëtorë të tij publikuan në media një dokument për të vërtetuar se ai nuk ka qenë bashkëpunëtor i sigurimit të shtetit.

Por në mesazhet e ish –të dënuarit të Spacit, thuhet se Zhiti ka qenë spiun burgu, se ka spiunuar bashkëvuajtës të tij që kanë marrë dënime të tjera veç atyre për të cilat kishin përfunduar në Spaç dhe jo se ka qenë bashkëpunëtor zyrtar i sigurimit te shtetit.

Dokumenti i publikuar nga Zhiti dhe bashkëpunëtorët nuk e hedh denoncimin e ish –të dënuarit.

Për Visar Zhitin, akuzat se ka qenë bashkëpunëtor dhe vegël e sistemit komunist kanë dalë që në vitin 2001 kur ai kandidonte si deputet përballë socialistit Spartak Poçi.

Por ky debat u rihap pasi Presidenti i Rëpublikes dekretoi Fatmir Xhafajn si ministër të Brendshëm, me kërkesë të kryeministrit Edi Rama.

Zhiti e sulmoi presidentin Nishani, duke e fyer rëndë atë, çka shënon një rast të paprecedent në marrëdhëniet institucionale.

Në çdo rast, në çdo vend të botës, një diplomat qe sulmon presidentin e vendit të cilin përfaqëson, do të ishte shkarkuar nga detyra pa vonesë.  

Sulmi dhe fyerjet ndaj presidentit, për me tepër ishin të qëllimshme, pasi nëse Visar Zhiti do të kishte qenë me të vërtetë i indinjuar për emërimin e zotit Xhafaj, ai duhet të ishte revoltuar me kryeministrin që e emëroi dhe duhet të kishte sulmuar atë, dhe jo kreun e shtetit.  

Zhiti është i pabesueshëm edhe me indinjatën që ka ndaj Xhafajt dhe përdor dy standarde kur bëhet fjalë për veten dhe të tjerët. Ai thotë se vetë akuzohet pa fakte se ka qenë spiun sigurimi, kur ka denoncime publike se ka qenë spiun burgu, por revoltohet ndaj dekretimit te Xhafajt si ministër, edhe pse ndaj Xhafajt nuk pati ndonjë akuzë të vërtetuar.

Presidenti i Republikës iu përgjigj publikisht fyerjeve të paprecedenta të tij, duke thënë se Visar Zhiti ka paqëndrueshmeri psiqike dhe se kjo ishte një  prej arsyeve kryesore që nuk e dekretoi si ambasador.

Tv Klan