majlinda dodajPapa Françesku: “Me këtë shtegëtim të shkurtër dua të përforcoj në fe kishën e Shqipërisë dhe t’i dëshmoj inkurajimin tim një vendi që vuajti gjatë si pasojë e ideologjive të së kaluarës”.

Kështu shprehet Papa Françesku në njoftimin që bëri sot për vizitën e tij në Tiranë më 21 shtatorin e ardhshëm.

Në fakt sensibilizimi i Papës për këtë çështje, pra vuajtja dhe përndjekja që iu bënë njerëzve të fesë gjatë komunizmit në Shqipëri, vjen pas vizitës së kryeministrit Rama në Vatikan ku pati një audiencë private me Papa Françeskun, por edhe një aktivitet pikërisht me temën e përndjekjes që komunizmi u bëri njerëzve të fesë, aktivitet ky i organizuar në shkurt të këtij viti në Romë nga Ambasada e Shqipërisë pranë selisë së shenjtë.

Në këtë konferencë e organizuar nga e ngarkuara me punë në Ambasadën e Shqipërisë në Vatikan znj. Majlinda Dodaj u trajtua pikërisht tema, liritë fetare, laicizmi dhe zhvillimet më të fundit në Shqipëri. Aktivitet ky i organizuar për herë të parë në 23 vite rivendosje të marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Vatikanit. Në këtë konferencë ku përveç shumë të ftuarve, personaliteteve të historisë dhe njohës së mirë të marrëdhënieve mes selisë së shenjtë dhe Shqipërisë ne shekuj ishte dhe Dekani i Kolegjit të Kardinalëve dhe ish-sekretari i shtetit të Vatikanit, shkëlqesia tij, Kardinali Angelo Sodano.

Kardinali Angelo Sodano: “Me çlirim të madh erdhi edhe fryma e lirisë, që në Shqipëri për 45 vjet nga 1945 deri në 1990 shkaktoi vuajtje të mëdha jo vetëm për të krishterët, katolikët dhe ortodoksët por edhe për vllezërit tani myslimanë, për të gjithë popullin.”

Edhe e ngarkuara me punë e Ambasadës së Shqipërisë pranë selisë së shenjtë znj. Dodaj gjatë këtij aktiviteti theksoi rëndësinë që ka njohje për të gjithë historinë e vuajtjeve dhe dhunës të ushtruar nga regjimi komunist ndaj njerëzve të fesë e sidomos ndaj klerit katolik të pushkatuar, të burgosur me dhjetra vite dhe të zhdukur pa gjurmë vetëm sepse i shërbenin fesë.

Majlinda Dodaj: “Ideja e kësaj konference lindi nga dëshira për të bërë të njohur vendin tonë në Itali, pse jo dhe përballë personaliteteve të Vatikanit, përballë personaliteteve të trupit diplomatik, për të bërë të njohur një pjesë të historisë së Shqipërisë, përmes rilindjes fetare, kulturore dhe politike. Për të bërë të njohur periudhat e persekutimeve ku u dhunuan të gjitha të drejtat e individit. Të drejtat fetare dhe ato të ndërgjegjies. Gjithashtu lindi dhe nga dëshira për të kujtuar 40 martirët e periudhës së komunizmit për të cilët Vatikani ka hapur procesin e shenjtërimit”.

Historianë të njohur shqiptarë apo pedagogë e studiues të tjerë italianë si dhe përfaqësues të selisë së shenjtë patën referuar mbi kalvarin e vuajtjeve të klerit në Shqipëri në këtë konferencë që për herë të parë në kryeqytetin e krishtërimit solli në vëmendjen e të gjithëve atë çka ndodhi në vitet e errëta të komunizmit në Shqipëri.

TV KLAN