situata-rrugeve-tr

Vizita e Kryeministrit serb në Tiranë, Aleksandar Vučić, e para e një kreu qeverie serbe pas 70 vitesh, ka bërë që në kryeqytet të rriten mëse dukshëm masat e sigurisë.

Ashtu siç ishte lajmëruar, që nga Aereoporti i Rinasit, deri në “Pallatin e Brigadave” rrugët do të ishin të mbikqyrura nga afër nga efektivë të policisë.

Më shumë se 1300 efektivë të policisë janë angazhuar në terren për të patur nën kontroll situatën. Nga Garda e Republikës, Policia e Rendit, Policia Rrugore, por edhe Shërbimet e Inteligjencës, kanë patur një plan masash për sigurimin e kësaj vizite të rëndësishme.

Rrugët janë bllokuar menjëherë sapo në Rinas ka zbritur avioni që solli në Tiranë Kryeministrin serb.

Ashtu siç e tregojnë edhe pamjet edhe në “Rrugën e Elbasanit”, në drejtim të “Pallatit të Brigadave”, atje ku u zhvillua ceremonia e pritjes për Vučić, policia dhe forcat e Gardës së Republikës kanë qënë në monitorim të vazhdueshëm. Madje policia ka ndaluar edhe qarkullimin e mjeteve të përfaqësive diplomatike në Tiranë.

Për të parandaluar çdo situatë të mundëshme, policia ka bërë ndalimin e qarkullimit në akset kryesore. Eskorta e Kryeministrit serb, veç mjeteve të Gardës dhe Policisë është shoqëruar nga ajri edhe nga një helikopter “Cougar”.

Masat e sigurisë do të jenë të ashpra edhe gjatë ditës së enjte kur në Tiranë do të mbahet samiti i krerëve të qeverive të rajonit.

Tv Klan