Kasaforta e një biznesi të produkteve të mishit u grabit mëngjesin e kësaj të enjteje në rrugën dytësore Tiranë – Vorë, në kilometrin e pestë.

Ngjarja ndodhi rreth orës 05:00, kur dy persona ende të paidentifikuar hynë në pjesën e pasme të  biznesit tij dhe thyen bravat e dyerve për të hyrë brenda. 

Sipas policisë autorët mundën të marrin një shumë prej rreth 1 milionë lekësh. Pas këtij veprimi ata çmontuan sistemin e kamerave të sigurisë së biznesit, duke marrë me vete edhe njësinë kompjuterike.

Policia u njoftua nga rojet e sigurisë së kompanisë. Këta të fundit u pohuan hetuesve se në momentin e ngjarjes ishin duke fjetur dhe se e kishin kuptuar grabitjen kur vunë re mungesën e kamerave të sigurisë.

Disa persona, ish- punonjës, punonjës aktualë të kompanisë si dhe banorë të zonës, u shoqëruan për t’u pyetur nga policia.  Dyshimet janë se autorët e krimit mund t’i përkasin një grupi keqbërësish që kanë grabitur disa biznese të zonës në autostradë për gjatë këtyre muajve.

Tv Klan