Ky është Luigj Gjonaj, Drejtori i filialit të bankës e cila u grabit në qendër të Tiranës të shtunën. Ai u arrestua nga policia si një nga personat që kishte neglizhuar detyrën dhe si pasojë grabitësit arritën të marrin 20 milion lekë të reja nga kasaforta.

Por pas këqyrjes së provave të mbledhura, gjykatësja Rexhina Merlika caktoi si masë sigurie për 50-vjecarin detyrim paraqitje, 2 herë në muaj në prokurori.

luigj gjonaj ok 2

Sipas prokurorisë Gjonaj nuk është personi përgjegjës për sigurinë e perimetrit të jashtëm të bankës. Ndërsa Florjan Skarra, Shefi i sigurisë së bankës u la në burg.

Nga hetimet 36-vjeçari pavarësisht se kanë marrë sinjal, se diçka nuk shkonte në bankë nuk ka marrë masat për të shmangur grabitjen.

Në sallën e gjyqit dy të akuzuarit nuk kanë dhënë asnjë deklarim, ndërsa pritet që ata të merren në pyetje nga grupi hetimor në ditët në vijim.

Paraprakisht ata mësohet të kenë deklaruar në polici se kanë shkuar në bankë por nuk kanë vënë re asnjë anomali.

Prokuroria do të kërkojë sqarime nga Gjonaj dhe Skarra se përse nuk kanë reaguar gjatë kohës që ka rënë alarmi i bankës për herë të dytë të shtunën në orën 5 të mëngjesit. /TV KLAN