Libri  “Agjentë perandorakë” i historianit dhe studiuesit Noel Malcolm vjen për lexuesit edhe në gjuhën shqipe. Historia e dy familjeve shqiptare Bruni dhe Bruti në Ulqinin e shekullit të 16-të e trajtuar në këtë libër sjell shumë detaje të kohës, rëndësinë  e faktorit shqiptar, në historinë e Europës së atyre viteve. I gjendur në kryeqytet për promovimin e këtij libri, akademiku anglez është pritur në një takim nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Ai i dhuroi çelësin e qytetit për kontributin e dhënë me studimet e tij për historinë e Shqipërisë dhe shqiptarëve.

 “Jam shumë i lumtur që jam në Tiranë për promovimin e librit dhe gëzohem shumë që kam ardhur këtu në Bashki për një nder të madh që ishte i papritur për mua. Ndaj ju falenderoj shumë”.

Veliaj shprehu mirënjohje për trajtimin që Malcolm i ka bërë historisë së shqiptarëve në librat e tij .

 “Miqtë duhen për të rrëfyer historinë dhe ndoshta janë edhe më transparentë në mënyrën se si e shohin atë. Në një vend si Tirana, apo në trojet shqiptare në Kosovë dhe Malin e Zi, kemi ngut për të bërë gjëra për të ardhmen, por ndonjëherë duhet ta kthejmë pak kokën pas për të kuptuar se çfarë kemi bërë në të kaluarën, cila është historia jonë, sepse nuk jemi rastësisht këtu. Kërkimet e profesor Malcolm-it na kanë mësuar se ky vend, ky rajon, ka qenë gjithmonë kështu, me të njëjtat dinamika

.”

Për këtë vepër autori ka shfrytëzuar materiale arkivore në 10 gjuhë duke sjellë një periudhë jetike të historisë së Mesdheut, momente kritike për Europën Lindore e Perëndimore, për Krishtërimin e Islamin.

 “Shpreh falenderimet e mia për Noel Malcolm-in, i cili ka sjellë një dhuratë kaq të çmuar për të gjithë ne shqiptarët kudo ku jetojmë, librin e tij “Agjentë perandorakë”, një libër që erdhi pas kaq shumë kërkimesh, pas një pune shumë skrupuloze.”

Noel Malcolm është gazetar politik, historian dhe akademik. Ai mori titullin “Sir” për shërbime ndaj akademisë, gazetarisë dhe historisë europiane. Malcolm ka shkruar mbi 11 libra historie, biografi dhe ese, mes të cilave histori të Bosnjës në 1994 dhe Kosovës në 1998.

Tv Klan